Ish-kryehetuesi rrëfen gjyqin në Lidhjen e Shkrimtarëve për Kadarenë: Pse erdhi Nexhmija dhe Ramizi

Edhe pse fushata kundër Ismail Kadaresë nuk u mbyll sipas skenarit të thurur nga autorët, pra, me arrestimin e tij, ajo nuk do të mbyllej aq thjesht për shkrimtarin. Është e vërtetë se ai nuk u përball me Hetuesinë dhe sallën e gjyqit, por, ama, nuk shpëtoi pa një gjyq publik, që iu bë në Plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në 17-18 mars 1982.

Në këtë plenum morën pjesë rreth 500 shkrimtarë, artistë dhe intelektualë të kohës. Ishte i pranishëm Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha, çka tregonte për rëndësinë e këtij plenumi. Në librin e tij “Dritëhijet e kohës”, hedhur së fundmi në qarkullim nga shtëpia botuese “Neraida”, ish-kreu i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, tregon për ketë plenum, kritikat e rënda që iu bënë Kadaresë dhe mënyrën se si u transmetua për publikun e gjerë, censurimi i fjalës së shkrimtarit dhe qëndrimi i Ramiz Alisë. Po ashtu edhe situata e përjetuar nga familja Kadare pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut.

Ky plenum u mbajt në situatën kur ishin zhvilluar hetime intensive dhe do të bëheshin arrestimet e bujshme për goditjen e komplotit të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu. Në atë kohë ishin mbledhur edhe provat ligjore që vërtetonin veprimtarinë armiqësore të zhvilluar nga Ismail Kadare.

Për këtë qëllim, mbledhjes së plenumit iu kushtua rëndësi e posaçme, duke u parapërgatitur platforma për qëndrimet që do të mbaheshin me kritika të rrepta, të drejtpërdrejta për romanin e botuar “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, si dhe atë që ishte ndaluar për botim: “Gjakftohtësia” (“Koncert në fund të dimrit”). Kritikat e shkrimtarëve që folën ishin shumë të rrepta dhe kishin përmbajtjen e akuzave politike. Më të theksuara ato janë bërë nga Dritëro Agolli, Shefqet Tagani etj. Në përmbajtjen e tyre vihej në dukje fakti se: “Ismaili bënte aluzione kundër regjimit komunist”.

Në kuptimin e formulimeve ligjore të nenit 55 në Kodin Penal, këto ishin akuzat për agjitacion e propagandë. Heshtja e shkrimtarëve të tjerë vlerësohej si përkrahje e akuzave, megjithëse ata nuk gjenin forca në vetvete për të thënë hapur mendimet e tyre, për shkak të gjendjes së rëndë dhe për të mos u vetëviktimizuar nga fjala e lirë që dënohej me gjithë forcën e ligjit, të propagandës partiake dhe masave shtrënguese shtetërore.

Pjesëmarrja e Ramiz Alisë, si zëvendësi zyrtar i Enver Hoxhës, e anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike dhe vetë Nexhmije Hoxhës, dëshmonte për rëndësinë e shkallës më të lartë që tregohej në ato rrethana të rënda politike, për të përpunuar opinionin e tronditur shoqëror nga vdekja misterioze e Mehmet Shehut, arrestimet dhe hetimet e komplotistëve.

Për këto arsye, Plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve do të ishte edhe gjyqi publik politik që i është bërë Ismail Kadaresë, në sallën me më shumë se 500 persona, në praninë e udhëheqjes së lartë të partisë e shtetit dhe para elitës së përfaqësuesve të intelektualëve të vendit.

Me këto masa, siç ishte vepruar edhe ndaj personaliteteve të tjera, mbyllej maskarada e propagandës publike dhe u hapej rrugë masave penale të arrestimit dhe të dënimit nga gjykata. Propaganda e drejtuar nga Partia e Punës nuk ka lejuar që drama e këtij plenumi t’i transmetohej e plotë opinionit publik. Për këtë qëllim janë censuruar kritikat dhe akuzat e rrepta në diskutimet e bëra nga disa shkrimtarë kundër Ismail Kadaresë.

Censurimi kuptohet se ka pasur si qëllim që të mos njoftohej opinioni publik direkt nga përfundimet e plenumit, por indirekt, nga jehona që do të shkaktohej nga të dhënat që do të përhapeshin nga të pranishmit në atë mbledhje. E këtë metodë të zbatuar shpesh për të mbuluar prapaskenat politike dhe dramat shoqërore udhëheqja nuk dëshironte të ballafaqohej direkt me opinionin shoqëror për qëndrimin e mbajtur prej saj. Duke censuruar dhe publikuar vetëm ato probleme që dëshmonin për arritje pozitive, synohej që jehona e kritikave dhe e akuzave të përhapej më me kuriozitet nga të pranishmit. Me anë të kësaj metode dëshmohej qëndrimi parimor i udhëheqjes.

Për përhapje jozyrtare të të dhënave të tjera për mbledhjen, lihej mundësia që të krijoheshin mendime të ndryshme. Opinioni publik të vihej në dijeni në forma të ndryshme, të cilat merrnin edhe karakterin e thashethemeve, të cilat shfrytëzoheshin po nga politika për të goditur personat e dyshimtë. Me këto qëllime, propaganda dëshmonte se udhëheqja vepronte sipas parimeve, ndihmonte në zgjidhjen e problemeve, reagonte drejt ndaj të metave dhe gabimeve, tregohej e arsyeshme, zemërgjerë, tolerante.

Kur më pas organet e telekomanduara të Sigurimit të Shtetit, Hetuesisë, Prokurorisë dhe Gjykatës të deklaronin dhe realizonin masat e ndjekjes, të arrestimit dhe të dënimit, njerëzit të mendonin se me Ismailin ishte treguar durim, por ai e ka thelluar vetë fajin e tij dhe e pësoi. Me qëllime të menduara mirë për të përpunuar opinionin shoqëror, janë dhënë vetëm njoftime me një tablo pozitive mbi zhvillimin e letërsisë dhe të arteve në epokën e socializmit dhe detyrat për të ardhmen.kadare enver

Ramiz Alia, i njohur për qëndrimet në heshtje në prani të personit të akuzuar dhe organizimin e sulmeve në fshehtësi me makinacione politike, edhe në këtë plenum kryesisht dëgjonte dhe nuk ndërhynte ndaj kritikave që bëheshin nga ata që ai i mbështeste dhe i kishte nxitur për të kritikuar dhe akuzuar. Nga pyetjet intriguese dhe me dy kuptime, të pranishmit kanë kuptuar se kritikat ishin të koordinuara dhe të porositura. Këto probleme janë diskutuar më pas edhe në rrethe të ngushta shoqërore në shumë mjedise, përfshirë edhe ato të drejtësisë.

Në fjalën e tij në mbyllje të plenumit, po kështu në njoftim, nuk përmend kritikat. Propagandohet se Ramiz Alia është përqendruar në rolin e madh të Partisë dhe të Enver Hoxhës në zhvillimin e letërsisë shqiptare. Në njoftimin për median, për zhvillimin e punimeve të plenumit është theksuar roli i partisë në ndërtimin e socializmit dhe vendi që ajo ka zënë në letërsinë shqiptare.

Në fjalën e këtij udhëheqësi të ri, që shfaqej si hije në vazhdim e përjetësimit të paraardhësit që jetonte vitet e fundit të jetës së tij, theksohej politika e vjetër e presioneve dhe e mbajtjes nën kontroll të shkrimtarëve dhe artistëve.

Duke dënuar veprën e Ismail Kadaresë, dënohej mendimi i lirë në letërsi dhe në popull. Censura do të thoshte të programoje mendimet në mendje me ato të udhëheqësit, si në një programim të dixhitalizuar me kompjuter, të mbyllësh gojën, të tregohesh i bindur dhe mirënjohës, të ecësh në drejtimin dhe me tempin e kërkuar në trasenë e shinave të hekurta të shtruara nga Partia në bazë të mësimeve të udhëheqësit të madh.

Censura politike luftonte vizionin politik dhe shoqëror të ri me frymë perëndimore të Ismailit dhe mesazhet për një botëkuptim bashkëkohor për kërshërinë që rrezatonin dhe hapnin sytë e njerëzve nga modeli modern i letërsisë shqiptare që shkruante Ismaili dhe kishte zënë vendin e nderuar në letërsinë dhe publicistikën botërore. Për këto qëllime, edhe fjala e Ismail Kadaresë është censuruar. Është publikuar vetëm pjesa që ai ka diskutuar për detyrat për plotësimin e tablosë së epokës së socializmit.

Si pjesë përbërëse e orientimeve të Kongresit të 8-të të Partisë, zgjidhja e këtyre detyrave ka lidhje dialektike me problemet e tjera, ndikohej prej tyre dhe ndihmon njëkohësisht edhe në realizimin e tyre. Plotësimi i tablosë ka lidhje me konsolidimin e socializmit në Shqipëri, me faktin që epoka e partisë në Shqipëri ka mbushur 40 vjet.

Është e kuptueshme që kjo kërkesë të shtrohet tani, në këtë stad të ri të zhvillimit të socializmit në Shqipëri. Më parë, ai kishte akuzuar dhe demaskuar personazhet kryesore të tempullit të regjimit. Kjo tregonte për kurajën, por edhe për arrogancën e reagimit të tij të ashpër ndaj udhëheqjes së regjimit.

Këtë vlerësim bëjnë edhe shkrimtarët e tjerë për veprat e tij, që kanë dëshmuar këtë qëndrim, sidomos në romanin “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”. Plotësimi i tablosë së vërtetë të socializmit të diktaturës së proletariatit ka qenë në fakt edhe mënyra për të zbuluar para opinionit publik realitetin e vërtetë. Prandaj edhe u akuzua ashpër në atë plenum.

Edhe këto thënie para 22 vjetëve dhe në kushtet e rënda, duke i krahasuar me idetë e shkruara në atë kohë në disa libra të tij, ndihmojnë për t’u thelluar dhe për t’u analizuar me objektivitet ideja për të njohur tablonë e vërtetë të epokës së socializmit, të orientimeve të Partisë, të epokës dyzetvjeçare të Partisë së Punës në Shqipëri dhe të përgjegjësisë së udhëheqjes për pasojat e rënda.

Në këndvështrimin e gjerë filozofik dhe rëndësinë që ka luajtur në formimin e njerëzve dhe ndikimit në ngjarjes historike të kohës, është me vend të theksohet se romani “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” është vepra më disidente e shkruar në shtetet ish-socialiste në Europën Lindore dhe në vendet e tjera që vazhduan socializmin në Azi, Amerikën Latine etj. Pak persona kanë pasur kurajën të pranojnë gabimet për heshtjen e treguar dhe mosreagimin e tyre ndaj kritikave dhe akuzave në atë plenum.

Edhe shkrimtarët bashkëkohës si Dritëro Agolli, Bardhyl Londo etj., më vonë vlerësojnë me sinqeritet gabimet e tyre për kritikat, akuzat e heshtjen e treguar në atë kohë dhe vënë në dukje mendimin e tyre të pastër të thënë me kompetencë, për ndjekjen e bërë dhe vlerësimin si disident të Ismail Kadaresë. -Fillimi i hetimeve dhe arrestimet me radhë të personave të akuzuar si komplotistë, ndihej si situatë e rrezikshme edhe nga vetë Ismail Kadare, ku vihet në dukje se:

“Më 17 dhjetor ndodhi vetëvrasja apo vrasja e Kryeministrit. Pas dy-tri ditësh, ai u shpall tradhtar, menjëherë filloi të flitej për komplotin e madh, më të rrezikshmin të zbuluar gjer atëherë. Gjithë Shqipëria nisi të dridhej prej llahtarisë.

Gjithkush sillte ndër mend të afërmit që mund të goditeshin dhe rrezikun që vinte prej kësaj. Ne rrezikoheshim nga dy drejtime, nga Bashkimi me Marietën, biri dhe nusja e Kryeministrit të vrarë që ishin izoluar dhe priteshin çdo ditë të arrestoheshin, si dhe prej Gim Myftiut, babai i të cilit mund ta pësonte. Dhe po ta pësonte i ati, dihej se biri do të kishte të njëjtin fat. Viti 1982 hyri me këtë re të zezë”. Ndërkaq, Bashkimi me Marietën ishin arrestuar.

“Në kohën që Tirana gëlonte nga mbledhjet për demaskimin e ‘kryekomplotistit më të madh të të gjitha kohërave, Mehmet Shehu’, përpara banesës sonë, në mbrëmje qëllonte që dëgjoheshin britma: Ismail Kadare, agjent i Mehmet Shehut! Ose agjent i borgjezisë! Dhe të mendoje që Ismaili ishte ende deputet i Parlamentit, një fakt që detraktorët e tij do ta kujtonin një kohë të gjatë më pas”.

-Dëshmitë e marra nga të pandehurit dhe dëshmitarët e pyetur në procesin e komplotit të madh të kryesuar nga Mehmet Shehu përbëjnë bazën ligjore të dokumentuar dhe të krijuar me porosi dhe qëllime të paramenduara për arrestimin dhe dënimin e tij.

Materialet e mbledhura dhe të bëra gati për arrestimin dhe dënimin e shkrimtarit do të mbeteshin pa veprime të mëtejshme për shkak të interesave të ruajtjes së pushtetit nga vetë Enver Hoxha. Analiza objektive e situatës politike dhe shoqërore si dhe e shkaqeve dhe rrethanave që kanë ndikuar në mosrealizimin e arrestimit dhe dënimit të Ismail Kadaresë evidenton përfundimin logjik se ato janë lënë për një kohë tjetër. Marrja e provave ligjore ka qenë e organizuar dhe studiuar më parë.

Mosrealizimi i masave të arrestimit për ta dënuar edhe atë si komplotist, është një vendim i marrë në çastet e fundit, i urdhëruar nga vetë Enver Hoxha. Ramiz Alia do ta ndiqte më tej këtë problem, siç del nga disa të dhëna dhe shënimet e tij në materialet hetimore të grupit komplotist. Analiza mbi arsyet e këtij qëndrimi të çon në përfundimin se vendimi është shtyrë për të mos u dëmtuar pushteti dhe vlerat e personalitetit të tij.

(vijon)


Shtuar 22.08.2020 11:17