Kastriot Reçi u ekzekutua paraditen e djeshme në qendër të Rrëshenit.
47 vjeçari u vra me një plumb në zemër. Arma e përdorur në krim, është një snajper i gjetur në katin e parë të pallatit.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar pamjet e autorit i cili ka qenë i maskuar, duke u larguar në këmbë.
Vrasja dyshohet të ketë ndodhur me motiv hakmarrjen, për shkak të një historie vrasjesh mes fiseve me influencë në Rrëshen, e nisur në shtator 2016. Pjesë e ciklit të vrasjeve është edhe ajo e vëllait të Kastriotit, Gaspër Reçi, i vrarë me 4 plumba në Romë vitin 2017.
Në lidhje me “ABC e mëngjesit”, gazetari Gjergj Figuri bën të ditur se hetimet nuk kanë sjellë asgjë të re. Gjetja e snajperit ka vështirësuar punën për gjetjen e autorit. Viktima qëndronte gjithmonë në të njëjtin lokal duke u ulur te cepi i lokalit, për shkak se i druhej një atentati të mundshëm.
Atentatorët kanë gjetur një pikë ku ta godisnin pa u vënë re. Kamerat kanë filmuar autorin i cili ka qënë i maskuar duke bërë të vështirë edhe identifikim e tij.
Ndërkohë shoqërimi i familjarëve të viktimave nuk ka sjellë asgjë të re, pasi kanë mohuar përfshirjen. Do të jetë shumë e vështirë pasi në Mirditë dhe në tërësi në Shqipëri shumat e ofruara për ngjarje të tilla nuk kanë sjellë gjetje të informacioneve, pasi i druhen një rreziku, raporton gazetari.