I dha lirinë “Gjeneralit’, merret vendimi për Markelian Kuqon

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur sot t’i japë dy javë kohë, gjyqtarit të Korçës, Markelian Kuqo për të cilin është kërkuar shkarkimi nga detyra nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani.

Gjatë seancës së sotme, Kuqo i cili ka firmosur vendimin për të liruar nga burgimi i përjetshëm, Gerd Gjenerarin, ka thënë se s’ishte dakord me pretendimet e ILD-së.

‘’S’jam dakord me pretendimet e ILD. KLGJ të shqyrtojë problematikën se për çfarë ndodhem. S’kam komunikim zyrtar se pse ndodhem në procedim. Nuk kuptoj arsyet pse nisi hetimi disiplinor ndaj meje. Faktet kishin natyrë paragjykuese, në mungesë të argumentit’’- tha gjyqtari Kuqo.

Pas seancës me dyer të mbyllura, KLGJ ka publikuar listën e vendimeve dhe nga ky theksohet se seanca e radhës ndaj Markelian Kuqos do të zhvillohet më datë 14 tetor.

“Pas fillimit të shqyrtimit të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedimin disiplinor në ngarkim të Markelian Kuqos me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, Këshilli vendosi pranimin e kërkesës së magjistratit nën procedim për shtyrjen e seancës dëgjimore me datë 14 Tetor 2020, me qëllim ushtrimin prej tij të të drejtës efektive të mbrojtjes, në zbatim të parimeve themelore të ligjshmërisë si dhe procesit të rregullt ligjor”, thuhet në vendimin e KLGJ.


Shtuar 2.10.2020 11:31