Hedhja në erë e zyrës së përbashkët, tensionohen marrëdhëniet mes dy Koreve

Koreja e Verit hodhi në erë zyrën e përbashkët të ndërlidhjes midis dy Koreve dhe po kërcënon edhe me anulimin zyrtar të marrëveshjes së paqes mes dy vendeve. Kim Jong Un e quajti zyrën “plotësisht të padobishme”.

Fjalët që tha para disa ditësh, Kim Yo Jong, motra me ndikim e sundimtarit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, u bënë realitet. Motra e sundimtarit Kim Jong Un kishte kërcënuar se do ta shkatërronte zyrën e përbashkët të ndërlidhjes midis dy Koreve në qytetin kufitar perëndimor të Kaesongut. “Së shpejti do të shohim një skenë tragjike të zyrës së padobishme të ndërlidhjes veri-jug, e cila do të shembet plotësisht,” – tha ajo. Kim Jong Un e quajti zyrën “plotësisht të padobishme”. Tani sipas njoftimeve të agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut Yonhap pas një shpërthimi në Kaesong është ngjitur në qiell tym. Përveç zyrës ndërlidhëse aty gjendet edhe një zonë industriale e përbashkët, e cila nuk është në përdorim prej katër vitesh. Në të kaluarën zyra shërbente si një kanal i rëndësishëm komunikimi midis dy Koreve.

Mediat e Koresë së Jugut spekuluan se pas shkatërrimit të zyrës së përbashkët të ndërlidhjes midis dy Koreve në Kaesong, aty mund të vendosen trupa ushtarake. Zona e zyrës ndërlidhëse përdorej për qëllime ushtarake deri në vitin 2004. Më pas të dy vendet ngritën aty si shenjë afrimi një park të përbashkët industrial, i cili funksionoi deri në vitin 2016.

Kim Jong Un und Schwester Kim Yo Jong (picture-alliance/dpa/Korea Summit Press Pool/Kyodo)Kim Jong Un dhe motra e tij, Kim Yo Jong
Vigjilencë në shkallë të lartë

Ushtarë të Koresë së Veriut së shpejti mund të vendosen në zonën e ashtuquajtur të çmilitarizuar në kufirin me Korenë e Jugut, e cila qe spastruar nga trupat ushtarake pas një marrëveshjeje midis dy vendeve në vitin 2018. Udhëheqja e ushtrisë tha se po shqyrtonte planet e qeverisë dhe të Partisë së Punës. “Ushtria jonë po e mbikëqyr nga afër situatën, në të cilën po përkeqësohen marrëdhëniet e brendshme koreane ,” u tha në njoftimin e ushtrisë .

Vigjilenca ushtarake do të rritet më tej, vija e përparme do të shndërrohet në një kala, thuhet në njoftim. Udhëheqja e Koresë së Veriut nuk dha detaje, se cilat zona brenda zonës së demilitarizuar do të preken posaçërisht. Ne jemi “plotësisht të gatshëm” për të ndërmarrë masa kundër jugut. Po ashtu në konsideratë po merret edhe një fushatë me fletë-volante.

Përkeqësim i dukshëm që nga viti 2018

Kohët e fundit tensionet midis Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut u ashpërsuan përsëri. Koreja e Veriut ndjehet sidomos e provokuar nga aksione me fletë-volante propagandistike nga Koreja e Jugut. Ndërkohë, Koreja e Veriut po kërcënon gjithashtu se do ta anulojë zyrtarisht marrëveshjen e paqes që Kim nënshkroi me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in në vitin 2018. DW


Shtuar 17.06.2020 07:38