Hapja e kazinove, Paloka flet për një takim misterioz mbrëmë të kryeministrit Rama

Ish-deputeti Edi Paloka ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se mori vendimin për të lëjuar hapjen e kazinove pas një marrëveshje mafioze.

Ai thotë se kryeministri Rama ka patur një takim misterioz me ata që sipas tij ishin përfitues të vendimit për hapjen e kazinove.

Ndërsa i drejton atij 5 pyetje.

“Në lojën e tij mafioze për pushtet, Edi Rama qante me lot krokodili dy vjet më parë për dëmin që bixhozi u sillte familjeve.

Pjesë e spektaklit ishte dhe gjoja tronditja e tij se të dënuarit në burgun 313 po i kërcënonin deputetët. Edhe pse vepër penale, nuk u mor kurrë ndonjë masë për ata që kërcënuan deputetët, sepse personat pas hekurave të burgut, janë pushtetarët e vërtetë në këtë vend.

Edi Rama sot ka harruar gratë e përvuajtura, që i përdor sa herë i duhen për spektaklin e tij dhe për pazaret e tij të fëlliqura, duke vendosur edhe një herë tjetër t’i shërbejë krimit dhe pastrimit të parave, përmes lejimit të lojrave të fatit.

Sot, ka disa pyetje që Edi Rama duhet t’u kthejë përgjigje. Këto përgjgije duhet të kërkohen menjëherë edhe nga SPAK.

Për llogari të cilit të burgosur te 313-ta po lejon sërish lojrat e fatit?
Për llogari të kujt i mbylle 2 vjet më parë?
Pse e more këtë vendim në fshehtësi dhe me nxitim në kulmin e krizës, ku shqiptarët po vuajnë për ushqimin e përditshëm?
A është ndonjëri nga ata më të cilët ishe mbrëmë përfitues i këtij vendimi?
Çfarë pazari mbylle me shoket e përgjimeve të Vangjushit?
Shqiptaret e dinë se ditët e Ramës janë të numëruara. Ata e shohin çdo ditë e me qartë se çfarë mashtruesi ordiner është Edi Rama dhe sesi, për pushtetin e tij, është gati të bëjë pazar edhe me kufijtë dhe të mashtrojë çdo qytetar pa iu dridhur syri”, shkruan Paloka në Facebook.


Shtuar 10.09.2020 11:56