Gruaja e nxorri zbuluar, KPK “kosit” gjyqtarin në Tiranë

Dy gjyqtarë janë shkarkuar ditën e sotme nga KPK. Bëhet fjalë për gjyqtarin e Apelit Administrativ, Arjan Qafa si dhe gjyqtarin e Apelit të Durrësit Tritan Hamitaj. Për të dy gjyqtarët problem ka dalë pasuria dhe burimi i të ardhurave që nuk janë justifikuar nga ana e tyre në KPK.

Në seancën dëgjimore e cila u mbajt pak ditë më parë, Qafa u përpoq të shmangte barrën për 80 mijë euro cash të deklaruara nga bashkëshortja dhe 7.4 milionë lekë të përfituara si interesa huaje përmes një kontrate të diskutueshme paramartesore. Sipas Komisionit, të paprovuara janë edhe 47 mijë euro dhurata nga familjarët.

Qafa depozitoi në KPK një marrëveshje paramartesore, sipas së cilës çifti i kishte menaxhuar veç e veç pasuritë. Por kjo marëveshje, që kishte dalë në skenë vetëm pas fillimit të hetimit administrativ, u vu në dyshim nga anëtarët e trupës, ndërsa relatorja Pamela Qirko lexoi një dëshmi të bashkëshortes në prokurori në vitin 2014, ku ishte pyetur në një hetim penal mbi pasuritë e gjyqtarit, në të cilën ajo thoshte se marrëveshja ishte gojore.

Gjyqtari e cilësoi dëshminë si të marrë në mënyrë të paligjshme nga prokurori, ndërsa i tha trupës së kryesuar nga Valbona Sanxhaktari dhe me anëtarë Lulzim Hamitaj dhe Pamela Qirko se e shoqja kishte ngatërruar datën e martesës dhe “ishalla nuk më harro emrin”.


Shtuar 17.09.2020 08:15