Gjykata refuzon apelin për ndërprerje të Ligue 1, shpëtojnë dy ekipe

Gjykata më e lartë administrative në Francë ka refuzuar të martën kërkesën e tri klubeve për të anuluar vendimin për të ndërprerë edicionin e Ligue 1, por ka vendosur që largimi nga elita i Amiensit dhe Toulouses duhet të anullohet.

Vendimi i Ligës së Futbollit të Francës për të ndërprerë edicionin ka nënkuptuar se Lyoni ka dështuar të kualifikohet në Evropë, ndërkohë që Amiensi dhe Toulouse janë larguar nga elita si të fundit në tabelë.

Vendimi për ndërprerje ishte marrë pasi qeveria kishte thënë në prill që sporti profesional nuk do të lejohej deri në shtator. Por ndërkohë skuadrat janë kthyer në stërvitje kurse është thënë se finalja e kupës mund të luhet në korrik apo gusht.

“Gjykata ka vërtetuar kushtet e përcaktuara nga liga, sidomos për klasifikimin e kampionatit në Ligue 1”, thuhet në një komunikat të Këshillit Shtetëror. “Gjyqtari në procedurën përmbledhëse pezullon rënien në Ligue 2 të Amiensit dhe Toulouses”.

Marrë për bazë që dy skuadra janë promovuar nga Ligue 2, Këshilli i Shtetit urdhëroi që Liga e Futbollit të Francës të rishikojë vendimin për kampionatin e ardhshëm. Liga mund të rritet në 22 skuadra në edicionin 202021.


Shtuar 9.06.2020 15:46