Gjobat për ata që shkelën afatet e qëndrimit, bëhet gati rimbursimi (VIDEO)

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj ka njoftuar se tashmë është alokuar fondi nga buxheti i shtetit për rimbursimi i penaliteteve që qytetarët shqiptarë kanë marrë jashtë shtetit prej thyerjes së afateve të qëndrimit.

Kjo vlen për qytetarët që e kanë thyer këtë afat, 10 mars- 1 qershor, por nga sot janë hapur aplikimet dhe ata që kanë penalitete dhe i kanë paguarat, duhet që të dorëzojnë në Postë, dokumentacionin e vërtetimit të marrjes së penalitetit, dhe të pagimit të saj si dhe numrin e llogarisë bankare.

Denaj thotë se brenda qershorit rimbursohen të gjithë aplikuesit ndërkohë ka njoftuar që në rast se nuk merret, qytetarët të ankohen tek Tatimet.

“Është alokuar një fond nga buxheti i shtetit për rimbursimin e penaliteteve që qytetarët shqiptarë kanë marrë si thyerje e afateve të qëndrimit jashtë vendit për periudhën 10 mars- 1 qershor

Çdo qytetar shqiptar është i lutur të aplikojë nëpërmjet Postës Shqiptare të aplikojë nëpërmjet dokumentacionit, që vërteton marrjen dhe pagimin e penalitetit si dhe të llogarisë bankare ku do të kryhet rimbursimi. Rimbursimi do të bëhet i plotë, me lek. Jeni të lutur që prej sot ë aplikoni dhe brenda muajit qershor fondi disbursohet. Në rast se nuk e keni marrë na shkruani tek ankesat tek tatimet.gov.al”, tha Denaj.


Shtuar 17.06.2020 12:30