Gjiknuri: Plotësuam kërkesat e opozitës

Anëtari i Këshillit Politik Damian Gjiknurit në përfundim të mbledhjes tha se është gjetur dakordësia për të gjithë pikat e mbetura, qoftë për zgjedhjen e KQZ, për formulën e kompensimit, mandatet e KQZ dhe shumë elementë të tjerë që kishin mbetur në diskutim.

Ai tha se po flet pa ndrojtje, dh plotësuan kërkesat që kishte opozita për ato garanci që kanë ekzistuar tek ligji aktual.

“Për ne është shumë e rëndësishme që ligji zgjedhor të reflektojë shqetësimet, frikërat apo të kaluarën e afërt të opozitës në mënyrë që të hyjmë në zgjedhje me një ligj të gjithëpranuar. Nga ana tjetër, ekspertët morën në detyrë që ta zbardhin këtë dhe për 2-3 ditë, teksti do të jetë i plotë dhe do ti dërgohet Kuvendit. Nuk kemi më debate, gjithçka është teknike.

Së dyti kemi rënë dakord për ligjin e ri zgjedhor që do të implementohet pas zgjedhjeve vendore të radhës, pra që hyjnë në fuqi pasi kalojnë dy palë zgjedhje që kanë të bëjnë kryesisht me depolitizimin, integritetin se si do të administrohen zgjedhjet nga zyrtarë, menduam që të çojmë një pjesë të dytë të legjislacionit shumë shpejt në Kuvend, i cili do të marrë hyrjen në fuqi në një kohë të dytqë.

Pra legjislacioni do jetë i plotë tani, më vonë institucionet mund të vazhdojnë punën përgatitore e këto përfshirë KQZ por zbatimi i tij do të bëhet pas 3 vitesh. Kemi rënë dakord për këtë për ta ndarë me amendimet e kodit zgjedhor dhe me ligj të ri zgjedhor që bën të mundur implementimin e skemës me administrimin e depolitizuar të zgjedhjeve. Këto ishin çfarë u arritën sot. Ishte një punë e lodhshme, negociata të vështira për shkak të klimës dhe aq më tepër që Shqipëria për herë të parë ndodhet në një situatë gati tripolare politike, negociohej me njërën palë që është në Kuvend dhe me palën tjetër që ka djegur mandatet dhe është jashtë kuvendit.

E rëndësishme është që kemi një ligj zgjedhor të pranuar, jo sipas standardeve që kërkonim, por ajo çfarë është e rëndësishme, rregullat e lojës të jenë të pranuara nga palët dhe ky kod i garanton ato.”, shtoi Gjiknuri.


Shtuar 24.06.2020 20:03