Duka: Coronavirus ka pasoja ekonomike, nuk mendoj se situata është drastike

Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, është i ftuar në emisionin Pressing, në ABC News. Kreu i futbollit shqiptar ka folur për situatën e futbollit pas përhapjes së Coronavirusit.

“Në fakt, është e vështirë që të parashikojmë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen në situatën e virusit, që tashmë preku dhe Shqipërinë. Sot, ju jeni të informuar se Qeveria ka marrë një vendim, I cili pezullon dhe ndërpret të gjitha aktivitet publike, grumbullimet etj etj. Detajet, se çfarë do të ndodhë, është një gjë që besoj se nesër do të nxjerrim akte dhe udhëzime. Por do të jenë pjesë e diskutimit, pasi pasojat janë të mëdha.

Sot, brenda ditës, gjetëm një zgjidhje që shumëkush mund ta kontestojë, që vazhduam me dy ndeshje pa spektatorë. Për të ardhmen, duhet të vendosim. Shëndeti është i pari, futbolli, biznesi e të gjitha të tjerat, vijnë pas. Por duhen dhe bizneset, prandaj të gjendet një gjuhë e mesme. Ka pasoja në financë, pasi është një lloj ekonomie e cila nëse stopohet, ka pasoja ekonomike, nuk e di nëse edhe ti do të bësh emision nëse nuk ka sport (drejtuar Gerti Çarçanit).

Edhe nga pikëpamja sportive, është e vështirë, pasi kur do të rikuperohen ndeshjet, kur do të luajmë në Europë? Besoj se do të gjejmë balancat më të mira të mundshme. Unë mendoj se ka dhe një lloj paniku, pasi në Shqipëri ka vetëm dy raste. Në komunikimet zyrtare, edhe sikur t’i shumëzojmë me 2, bëhen katër, dhe nuk mendoj se do të ketë masa drastike”, tha Duka.


Shtuar 9.03.2020 22:41