“Do organizojmë protesta masive”, Liga qëndron në rrugën e bojkotit edhe pas mbledhjes së sotme

Ditën e sotme u mbajt mbledhja e Ligës Profesioniste dhe siç ishte parashikuar, pas saj, ky institucion ka dalë me një qëndrim zyrtar. Liga njofton se bojkoti vazhdon, madje do punohet për ngritjen e një grupi pune, me qëllim organizimin e një proteste masive për të shkuar në “veshin” e qeverisë.

POSTIMI- “Anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit u mblodhën sot për të diskutuar në lidhje me çështjet organizative dhe me vijimin e bojkotit të kampionatit të Kategorisë Superiore. Gjatë diskutimeve Asambleja e Ligës u dakordësua për hapat e mëtejshëm në luftën për plotësimin e katër kërkesave të Ligës drejtuar qeverisë.

LPF do të intensifikojë kontaktet me negociatorin e qeverisë z. Fidel Ylli dhe për këtë ngarkohet Kryetari i Ligës dhe Sekretari i përgjithshëm për të ndjekur hap pas hapi ecurinë dhe reagimin e qeverisë pas dërgimit të relacionit shpjegues për kërkesat e Ligës.

LPF është e vendosur për vazhdimin e bojkotit dhe përshkallëzimin e protestave, duke projektuar protestën masive të futbollistëve më datë 10 tetor 2020. Për këtë do të ngrihet një grup pune për organizimin e saj dhe sensibilizimin e opinionit publik.

Deri më tani nuk kemi asnjë reagim nga qeveria për kërkesat e Ligës. Anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit mbeten shpresëplotë për një përgjigje sa më shpejtë nga ana e qeverisë dhe për veprime konkrete në shqyrtimin dhe plotësimin e këtyre kërkesave që mund të sjellin zgjidhjen e ngërçit të krijuar”.


Shtuar 29.09.2020 14:58