Darkoi në restorantin e shqiptarit por theu ligjin: Presidenti austriak kërkon falje

Edhe zyrtarët përfshihen jo pak herë në shkeljen e rregullave. Presidenti i Austrisë Alexander Van der Bellen ka kërkuar falje publikisht pasi qëndroi në një restorant përtej orës 23:00, që është orari i mbylljes së bizneseve sipas masave të ndërmarra kundër koronavirusit.

Ai qëndroi në një restorant në kryeqytetin e Vjenës, deri pas mesnatës. Van der Bellen, 76 vjeç, tha se ai e kishte humbur sensin e kohës teksa bisedonte me miqtë e tij në restorantin italian në qendër të qytetit.

“Më vjen sinqerisht keq. Ishte një gabim. Unë dola për herë të parë që nga bllokimi me dy miq dhe gruan time. Ne e humbëm sensin e kohës teksa bisedonim”, tha Van der Bellen.

Restoranti mund të gjobitet për shkelje, por Van der Bellen tha se ai “do ta marrë vetë përgjegjësinë” nëse pronari pëson humbje si rezultat i incidentit.

“Presidenti është një klient i rregull i imi, si dhe shumë artistë. Hëngri peshk për darkë. Bëra gjithçka sipas rregullave duke e mbyllur restorantin në orën 23:00, siç kërkohet nga ligji. Presidenti bëri vetëm një shëtitje në kopsht duke biseduar me gruan dhe në fillim isha edhe unë”, tha Aki Nuredini, 37-vjeçari shqiptar që menaxhon restorantin.


Shtuar 25.05.2020 10:48