Video e re duket se tregon momentin kur një raketë iraniane goditi një aeroplan pasagjerësh ukrainas vetëm pak çaste para se të rrëzohej, ku si pasojë humbë jetë 176 persona në bord.
Pamjet u shfaqën pasditen e së enjtes, disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump zbuloi se ai ka dyshime serioze për rrëzimin e aeroplanit, ku kishte thënë se Irani e kishte rrëzuar atë, transmeton Telegrafi.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau, më vonë i bëri jehonë shqetësimeve të Trump, duke thënë se provat tregojnë se një raketë iraniane rrëzoi aeroplanin ukrainas, por “mund të ketë qenë pa qëllim”.
Trudeau tha se inteligjenca kanadeze dhe aleate e mbështet atë përfundim. Ai tha se dukej se ishte një raketë tokë-ajër që goditi aeroplanin.
Zyrtarët e inteligjencës amerikane janë ‘të sigurt’ se Irani goditi fluturimin 752 të Aeroportit Ndërkombëtar të Ukrainës, pasi zbuluan një sistem të radarit duke u ndezur përpara se të hidheshin dy raketa.