Ngelën pa punë, këngëtarët e dasmave çohen në protestë: COVID-19 është gënjeshtër! (VIDEO)

Ditën e sotme këngëtaret kosovarë kanë protestuar para para godinës së qeverisë së Kosovës në lidhje me ndalimin e dasmave në Kosovë për shkak të pandemisë së koronavirsusit.

Në protestë kanë marrë pjesë disa nga emrat më të njohur të estradës, si: Labinot Tahiri, Afrim Muqiqi, Edi Furra, Edona Llalloshi, Alban Mehmeti e shumë të tjerë. Sipas tyre, vendimi për ndalimin e dasmave do të ndikonte shumë te artistët, pasi sezoni i verës është e vetmja mundësi që kanë për të mbajtur familjen.

Labinot Tahiri, i njohur edhe si Labi është shprehur se koronavirusi është një gënjeshtër, dhe e gjitha kjo bëhet për të deskriminuar qytetarët.

“Kjo është gënjeshtër, mua le të më dërgojnë në burg, edhe ty edhe të gjithë estradën, por kjo është gënjeshtër. Kjo bëhet vetëm për të diskriminuar, të na ulin modestinë dhe krenarinë që na i ka dhënë Zoti. Asgjë, asnjë Qeveri as Shteti nuk ka bërë asgjë për ne, asnjëherë, as për Nexhmije Pagarushën para se të vdiste. Këtu ku jemi ne do të duhej të ishte busti ose një shenjë për yllin tonë shqiptar, Nexhmije Pagarushën, por kur vdiq ia nisën lot krokodili”, tha Labi.

Ish-ministri Vitia kishte marrë një vendim për ndalimin e organizimit të dasmave dhe gëzimeve të tjera familjare, ndaj këngëtarët kanë protestuar në mënyrë që ministri i ri ta anullojë vendimin e marrë nga qeveria e Albin Kurtit.


Shtuar 15.06.2020 17:52