Bllokimi i Superiores, Rama cakton njeriun e sportit për të zgjidhur ngërçin e fillimit të kampionatit

Superioria është shtyrë zyrtarisht me klubet që nuk janë dakort që kampionati të rinisë.

Në lidhje me këtë ngërç Edi Rama ka caktuar një njohës të mirë të sportit siç është Fidel Ylli që të disuktojë me përfaqësuesit e Ligës Profesioniste të Futbollit.

Deputeti Fidel Ylli, i kontaktuar nga ABC News, konfirmon këtë detyrë të ngarkuar.

“Si i ngarkuar nga qeveria, së cilës i janë drejtuar edhe kërkesat e Ligës Profesioniste, me porosi dhe i ngarkuar nga kryeministri Rama, ftoj përfaqësuesit e Ligës Profesioniste të Futbollit në një tryezë pune për të gjetur rrugët e zgjidhjes së kërkesave që ata kanë.

Qeveria shqiptare dhe mazhoranca kanë patur vëmendjen e plotë te infrastruktura ligjore, duke miratuar një seri ligjesh dhe në këtë kuadër mirëpres Ligën Profesioniste të Futbollit për të negociuar dhe gjetur rrugët e mundshme të zgjidhjes. Vullneti nuk ka munguar asnjëherë dhe predispozicioni është i përhershëm. Mirëpres në çdo moment komunikimin për ngritjen e shpejtë të programit të diskutimeve”.

Tashmë topi është në tavolinën e Ligës, për të marrë kontakt dhe për t’u ulur në bisedime për 4 pikat që detyruan presidentët të frenonin startin e kampionatit.


Shtuar 11.09.2020 14:21