Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka reaguar shumë kohë pas skandalit me mësuesin “zhigolo” në një shkollë të Fierit.
Ajo shprehet se shfrytëzimi i viktimave të abuzimit për të tërhequr vëmendjen është poshtërsi ndërsa në vend se të kërkojë falje për skandalin, akuzon mediat duke i quajtur njësoj si Rama “kazan”.
Reagimi i Besa Shahinit
Shfrytëzimi i viktimave të abuzimit apo neglizhencës, për arsye të tërheqjes së vëmendjes apo vetë-promovimit, është poshtërsi. Po të kishin interesin e të abuzuarve në mendje, nuk do t’i nxirrnin në media me identitet të plotë duke spekuluar me ditë të tëra për detaje të abuzimit.
Kam mbi dy vite në Shqipëri që shoh jetët e grave dhe vajzave të shkatërrohen nën peshën e kazanit mediatik, dhe jo vetëm! Të gjithë ne kemi detyrimin të ngrejmë zërin përballë padrejtësisë apo abuzimit dhe të sigurohemi që shkaktarët e dëmit të marrin dënimin e duhur. Por në këtë proces nuk guxojmë të thellojmë dëmin ndaj të dëmtuarit.
Asnjë rast i dhunës dhe abuzimit nuk tolerohet! Sidomos në shkollë! Masat e rrepta që kemi ndërmarrë për parandalim dhe dënim e reflektojnë këtë!
Dua të nënvizoj edhe një herë: shfrytëzimi i viktimave të abuzimit për përfitim të vëmendjes është abuzim në vete. Ndaj edhe këtë formë të abuzimit do të bëj çmos ta luftoj!