“Babi ende shpreson se do të kthehen”, gruaja tregon historinë tragjike të familjes së saj

Majlinda nga Londra përmes një lidhje Skype rrëfeu për rubrikën “Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan, tragjedinë dhe dhimbjen që familja e saj po përjeton prej 25 vitesh.

2 vëllezërit e saj u nisën në vitin 1995 në drejtim të Italisë, por që nga ai moment nuk kanë më asnjë lajm prej tyre. Nëna e saj nuk e përballoi dot dhimbjen dhe pas 5 vitesh ndërroi jetë. Motra e madhe u bë nëna për të gjithë familjen dhe përkrahje për babain e saj, por edhe ajo para 9 vitesh ndërroi jetë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Plagët e kësaj familje janë shumë të mëdha, por ende ata shpresojnë për një mrekulli, ende presin lajmin e mirë që dy djemtë do të kthehen.

Ardit Gjebrea: Mamaja nuk rezistoi dot?

Majlinda: Pa bërë 5 vjet iku dhe kam qenë pranë asaj kur ka vdekur në Tiranë. Me lot në sy, motra e madhe i fshinte lotët, ajo ishte drejt vdekjes.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë keni humbur edhe një motër tjetër?

Majlinda: Mbasi na vdiq mami, motra e madhe u bë nënë për ne dhe babait i ka ndenjur afër shumë, e ka ndihmuar në çdo gjë. Edhe ishte bërë krahu i djathtë i babit, i të gjithëve ne, por edhe i nuses së vëllait, mbesës, i të gjithë familjes. Edhe ajo para 9 vitesh, i bie një sëmundje e rëndë, se përballoi, 7 muaj nëpër spitale, ishte e pamundur për ta mbajtur në jetë. Sëmundja e keqe e mori në moshën 48 vjeç. Babai u përkeqësua shumë, iu shtuan tragjeditë, gjithçka iu përmbys.

Ardit Gjebrea: Babi yt akoma shpreson dhe sot t’i gjejë dy vëllezërit e tu?

Majlinda: Babi shpreson, edhe ne… Unë për vete jam shumë optimiste dhe shpresoj se një ditë do të dalin. Nuk e di, kam dëgjuar lloj-lloj ngjarjesh, situatash, në internet kam lexuar që mbas 25 vjetësh kanë gjetur fëmijët e humbur, nuk dihet problemi. Ndoshta jam edhe gabim dhe nuk duam ta pranojmë fatkeqësinë, por derisa të vdesim shpresojmë. Edhe babai e ka shprehur dhe thotë, me gojë mund ta flas, por me zemër se them dot që ata kanë vdekur, ose nuk janë gjallë.


Shtuar 10.05.2020 18:16