Asani: Më ka marrë malli për Tiranën, ju tregoj si janë femrat suedeze

Jasir Asani, arriti të shndërrohej në një yll te Partizani, në sezonin e shkuar, ku edhe u shpall kampion me “Demat e Kuq”. Në një prononcim për emisionin “Fan Zon”, 25-vjeçari, foli për situatën aktuale në Suedi, ku është pjesë e AIK, teksa zbuloi se kampionati pritet të rifillojë me tifozë. Asani hodhi dritë edhe për të ardhmen duke u shprehur:

“Shyqyr Zoti jam shumë mirë. Këtu ka qenë gjithmonë hapur. Kemi vazhduar stërvitjen. Bisedoj çdo ditë me familjen. Në Maqedoni tani janë të gjitha hapur dhe shyqyr Zotit janë të gjithë mirë. Shumë pak kam folur me shokët te Partizani. Nuk mund të flas ditë për ditë, duhet të pushojmë, sepse stërvitemi shumë.

Situata në Suedi – Në klub na kanë thënë që mund të fillojë kampionati më 14 qershor dhe ndeshjet e para t’i luajmë pa tifozë, por klubet duhet që t’i nisim ndeshjet me tifozë. Besoj se do të fillojmë me tifozë, siç ka qenë më përpara. Është gjendja shumë e mirë.

Kontrata dhe e ardhmja – Sot do flasim me menaxherin. Deri të hënën besoj do jetë marrë vendimi. Të gjithë më kanë pëlqyer shumë. Por për shkak të Koronës, nuk kam luajtur në kampionat. Besoj se do shkojnë shumë mirë gjërat dhe do të rri këtu. Do të shkojnë shumë mirë gjërat dhe bisedimet. Pse jo të mos paguajnë klauzolën që të rri këtu. Kam bërë paraqitje shumë të mira. Do të jemi të gjithë të kënaqur.

Tifozët – Partizani është një klub i madh, kur shkova në fillim atje, ishte presion i madh. Kënaqësi e madhe të luash me tifozë shumë, sidomos derbi. Me stadium bosh të ishte shumë vështirë, sepse nuk mund të motivohesh dot, është një gjë shumë e rëndësishme. Me tifozë jep maksimumin, vjet fituam kampionatin me tifozë, stadiumin plot. Për mendimin tim, ndeshjet duhet të fillojnë me tifozë.

Jeta në Stokolm – Suedezet janë të ftohta shumë. Ne jemi më të afërt. Nuk kam ardhur këtu për të kapur vajza, por për të luajtur futboll. Unë mendoj se më mirë se shqiptares s’ka askund. Më ka marrë malli për Tiranën. Më pëlqen që kur të le futbollin të jetoj në Tiranë.


Shtuar 29.05.2020 15:00