Arrestohet shoku i Orgest Bilbilit, lidhja me atentatin në Tushemisht

Anterio Kaloshi, shoku i Orgest Bilbilit, është kapur pasditen e sotme gjatë një aksioni të policisë në Qesarakë.

Në momentin e arrestimit, Kaloshi ka qenë bashkë me Meardi Berberin, të ndaluarin për atentatin e ndodhur në hotel “Voloreka” mëngjesin e 8 gushtit.

Anterio Kaloshi është shoqëruar në polici, bashkë me Meardi Berberin dhe do të pyeten për atentatin në hotelin në Tushemisht. Dyshohet se në atentat të ketë marrë pjesë edhe shoku i Orgest Bilbilit.

Si i shpëtoi policisë?

Anterio Kaloshi i shpëtoi policisë mesditën e 10 prillit ku në pranga ra, Orgest Bilbili. Të dy këta ishin duke lëvizur në këmbë në periudhën e izolimit total të vendit, pa ‘leje për dalje’.

Një efektiv policie vuri re lëvizje të dyshimta të Bilbilit, i cili po lëvizte me kapuç dhe iu afrua për ta kontrolluar, por në momentin që i bëri thirrje ai u largua me shpejtësi.

Polici e ndoqi dhe më pas e qëlloi me plumb në këmbë për ta neutralizuar, duke bërë më pas të mundur edhe arrestimin e tij.

Kaloshi, i cili jetonte në një apartament me Bilbilin arriti t’ia mbathë. Policia gjeti në shtëpinë e marrë me qira me firmën e Jurgena Xh., e dashura e Anterio Kaloshit një pasaportë të këtij të fundit, 900 euro si edhe një armë që dyshohet se i përkiste Kaloshit.

Anterio Kaloshi ishte shpallur në kërkim për masakrën e ndodhur në Lushnje në vitin 2017.

Në ngjarjen e tre viteve më parë u ekzekutuan me armë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marius Xhepexhiu.


Shtuar 13.08.2020 16:55