Aksione në banka, kompani nafte e diamantesh: Njihuni me gruan më të pasur në Afrikë (FOTO LAJM)

Isabel dos Santos është gruaja më e pasur në Afrikë. Ajo ka arritur të sigurojë një seri kontratash fitimprurëse ku përfshihen toka, naftë, diamante dhe shërbime të telekomunikacionit, e kjo gjatë kohës që i ati ishte president i Angolës, një vend jug-afrikan me pasuri të mëdha natyrore.

Dokumentet tregojnë se ajo dhe i shoqi u lejuan të blejnë pasuri të çmuara shtetërore përmes një serie marrëveshjesh të dyshimta. Dos Santos tha se akuzat ndaj saj janë të rreme e të motivuara politikisht, e shtoi se e gjithë kjo është një gjueti shtrigash që i bëhet nga qeveria. Ish-vajza e presidentit jeton në Londër dhe zotëron prona të shtrenjta në qendër të kryeqytetit anglez. Ajo është vënë tashmë nën hetim për korrupsion nga autoritetet në Angola dhe asetet atje i janë bllokuar.

BBC ka arritur të ketë akses në mbi 700 mijë dokumente të lidhura me perandorinë e biznesit të miliarderes. Në verifikimin e tyre janë përfshirë 37 organizata mediatike, ndër të cilat edhe “The Guardian”, “Neë York Times” e gazeta portugeze “Expresso”.

Pasuria e Dos Santos, që është martuar me një biznesmen dhe koleksionist arti, llogaritet të mbërrijë në 2.2 miliardë dollarë. Ajo ka aksione në disa banka, kompani nafte, diamantesh dhe telefonie, kryesisht në Angola, por edhe në Portugali.

Hetimi mediatik, që nxori në dritë dokumente ku dëshmohen marrëveshje preferenciale e transaksione fitimprurëse për të në kurriz të shtetit të Angolës me vlerë miliona dollarë, zgjati shtatë muaj.


Shtuar 20.01.2020 09:35