300 euro për provim, kush është pedagogu që zhvaste studentët në Korçë

Alket Dino është pedagogu i arrestuar nga policia pasi kërkonte shumë të konsiderueshme parash nga studentët në këmbim të provimit.

Dino punonte si pedagog i Shkencave Sociale në Universitetin “Fan Noli” në qytetin e Korçës.

Së bashku me të është arrestar dhe sekseri, Xhevi Dervishi. Në bashkëpunim, ata merrnin nga 300 euro deri në 50 mijë lekë për një provim.

Informacioni i policisë:

Specialistët për Hetimin kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e SPAK, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

A.D., 34 vjeç, banues në Korçë (me detyrë pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe atyre Humane) dhe Xh. D., 35 vjeç (sekser) të dy banues në Korçë.

Shtetasit e mësipërm, janë kapur në afërsi të këtij Fakulteti me një sasi prej 300 eurosh dhe 50.000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”.


Shtuar 24.09.2020 07:29