KPK shkarkon nga detyra prokurorin e Gjirokastrës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra Prokurorin e Gjirokastrës, Emror Kasaj.

Nga analiza financiare paraprake për periudhën 2010-2016 Kasaj rezulton me balancë negative në vlerën e 31 milionë lekëve. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar fillimisht përshtatshmërinë e prokurorit Kasaj për të vazhduar detyrën. Pas përditësimit të raportit janë referuar informacione për përfshirjen e tij në korrupsion pasiv dhe për ndikim të paligjshëm në një proces penal.

Prokurori Emror Kasaj u përball me Vetingun me 17 mars për vlerësimin e ligjshmërisë së pasurisë dhe kriterin etik dhe profesional. Emror Kasaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si oficer i Policisë Gjyqësore. Prej vitit 2015, ai ushtron funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Rrethit Gjirokastër.


Shtuar 9.05.2022 10:38