Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një konferencë për media ku ndër të tjerash është përmendur edhe mundësia për mocion-mosbesimi ndaj Qeverisë Hoti.
Zyrtari i kësaj partie, Glauk Konjufca tha se meqenëse po shihet se marrëveshja në fjalë nuk ka mbështetje, atëherë duhet t’i rikthehen fokusit tek rrëzimi i qeverisë.
“Meqenëse këtë marrëveshje po e përkrah vetëm gjysma e LDK-së dhe gjysma e Nismës atëherë është moment i mirë që ta rikthejmë mocionin e mosbesimit. Nëse kjo qeveri vazhdon me këtë avaz edhe në Bruksel, do të vijnë kompromise edhe më të dëmshme”, deklaroi Konjufca.
Ai madje tha se nëse arrihet pajtueshmëri, atëherë rrëzimi i qeverisë është i mundshëm.
“Është koha që edhe PDK-ja dhe AAK-ja të reflektojnë pasi që vetëm nuk po pajtohen me këtë marrëveshje, që t’i bashkojmë nënshkrimet tona. Nëse iniciativës tonë i bashkohet AAK dhe PDK, atëherë mendoj që votat janë të mjaftueshme që kjo qeveri të dërgohet në shtëpi”, tha Konjufca.