“Vjosa e tradhtuar”

Në gjithë situatën paszgjedhore të Kosovës me intrigat, ambiciet, lojërat bllofet dhe të vërtetat, dallohet ndjeshëm zhgënjimi figurës simpatike të Vjosa Osmanit.

Militantët e VV tallen me pafuqinë e saj për të përfaqësuar LDK-në, forcën politike që e udhëhoqi në fushatën zgjedhore, eksponentët e LDK-së nuk ia përmendnin asfare emrin duke e identifikuar me “njeriun e Vetvendosjes në LDK”. Do kenë qenë kohë të vështira për të.

Por a e meritonte Vjosa këtë sjellje nga shefi i saj partiak? A po luante Isa Mustafa lojën e radhës kundër saj? A ishte humbëse e zgjedhjeve Vjosa?

Analiza matematikore tregon krejt të kundërtën!

Vjosa Osmani mori 176,188 vota në zgjedhjet e 6 Tetorit përkundrejt 206,516 votave të LDK -së në këto zgjedhje ose 85,31% të votave. Albin Kurti mori 83,19% të votave të Partisë së tij, Kadri Veseli mori 82,15% të votave të subjektit. Duke e krahasuar votën e tre liderëve kryesorë të fushatës, Vjosa padyshim është njeriu më i votuar në Kosovë brendapërbrenda forcës së vet politike. Për të bërë një krahasim me zgjedhjet e vitit 2017, mandatari iatëhershëm i LDK-së zoti Avdulla Hoti ka marrë 115,693 ose 62.2% të votave të koalicionit që ai udhëhiqte. Ose edhe më tej, në zgjedhjet e 2017-ës, Vjosa Osmani ishtee dyta më e votuar me 64,147 vota ose 34,5% të votave. Për analogji, i dyti i zgjedhjeve të sivjetshme në LDK, Kujtim Shala, ka 38,921 vota ose 18.8% të numrit të votave të LDK-së. Nga kjo pikëpamje, Vjosa vazhdon të mbetet njeriu më i votuar në LDK, madje me rezultat spektakolar.

Matematika nuk është opinion, shifrat kurrë nuk gënjejnë.

Ekziston një legjendë sikur Kosova votoi ndryshimin, votoi kundër “PAN-hajnisë” e gjepura të tilla. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. “PAN-hajnia” mori 317,592 vota ose 71,946 vota më shumë se më 2017-ën. Madje, sot, “PAN-hajnia” ka 4 deputetë më shumë sesa kishte në 2017-ën, atëherë kishte 39 tani ka 43. Po të shohim edhe numrin e deputetëve të VV dhe LDK në 2017-ën ishte 61 deputetë ose 4 më pak sesa sot. Pra LDK-ja dhe VV bashkë kanë pasë më shumë vota në 2017-ën sesa tani.

Por ka një ndryshim të madh, PAN-i u shpërbë dhe humbi të drejtën e mandatarit të Qeverisë. Nëse sot PAN-i do ta kishte të drejtën e mandatarit ai do ta krijonte Qeverinë përmes mënyrave tradicionale të joshjes dhe blerjes së pakicave shumë më kollaj se në 2017-ën.

Kështu që kjo legjendë duhet të bjerë poshtë.

I vetmi ndryshim i madh i këtyre zgjedhjeve nga ato të 2017-ës ishte pjesëmarrja e votuesve. Nëse në zgjedhjet e vitit 2017 votuan 873,997 votues përkundrejt 777,093 të zgjedhjeve të 2017-ës ose afërsisht 100 mijë votues më shumë!

Po kujt i dedikohej kjo pjesëmarrje? I përket edhe Albin Kurtit sigurisht. Por, kujtojmë këtu që Albini ka qenë edhe në 2017-ën udhëheqës i listës së VV dhe nuk kishte mundur të tërhiqte kaq shumë votues.

Kjo pjesëmarrje, sipas meje, i dedikohet kryesisht një energjie rinore të ardhur nga emri i Vjosës si kryesuese e listës së LDK-së. Isa Mustafa luajti fort bllofin, kartën e rinovimit. Vjosa ishte vajzë e shkolluar në Perëndim, e artikuluar, koherente, ambicioze dhe me identitet të spikatur politik. Nëse treni i LDK-së do tërhiqej nga lokomotiva e Vjosës, shanset për të prekur 200 mijë votuesit ishin reale. Përndryshe, pa Vjosën, LDK-ja do të notonte në moçalin 30 vjeçar ku ndjehej e sigurtë në mpakjen e dalngadaltë dhe plakjen e shpejtë. Isa Mustafa, 68 vjeçar, me shkop në dorë e me një hije trishtimi nuk mund të gjeneronte më shpresë për brezin e 20-40 vjeçarëve.

Mirëpo kasta e vjetër i kishte bërë llogaritë mirë. Nëse do fitonte Vjosa kjo do të shihej si humbje për Albin Kurtin dhe fitore për “kastën e vjetër” brenda politikës kosovare. Nëse do të fitonte Albini kjo do të shënonte një “humbje” për Vjosën dhe fitore për “kastën e vjetër” brenda LDK-së.

Vjosa dhe Albini nuk mund të fitonin të dy. Njëri prej tyre do digjej. Sapo dolën rezultatet e zgjedhjeve, Isa Mustafa mori shtagën dhe doli në skenë. Deklaratat mosbesuese, publike, të tij dhe Agim Veliut kishin një qëllim të dukshëm, mënjanimin e Vjosa Osmanit si faktor politik i LDK-së. Memet tallëse të militantëve të VV çonin ujë në mullirin e Mustafës e Veliut.

Garda e vjetër po ripërtërihej politikisht, sidomos, nga këmbëngulja e Albin Kurtit për të qenë ekskluzivisht LDK-ja partnere e koalicionit të ardhshëm. Isa Mustafa kishte vulën e Partisë dhe mandatin për negociata. Vjosa po zhdukej nga protagonizmi. Sigurisht që ky ekskluziviteti i fituar do të shitej shtrenjtë, Albin Kurti do të gjunjëzohej te profa me shtagë. Vjosa përpiqej të ishte diku, të jepte ndonjë intervistë por nuk kishte fuqi. Menjëherë deklarohej 60 vjeçari tjetër, nënkryetari me mustaqe që i kërkonte llogari. Izolimi i saj kishte një qëllim, largimin nga Partia. Ajo tani është kthyer në një dhimbje koke për moshën e tretë udhëheqëse. Në një takim me të dërguarin amerikan për Kosovën, Vjosa del në skenë si figurë e tretë pas Isa Mustafës dhe Agim Veliu, shkruan Express.

Tash së fundi edhe dy nga eksponentët e tjerë të LDK-së, Driton Selmanaj dhe Lumir Abdixhiku, kanë kritikuar Vjosa Osmanin për sjelljet e saj. Duket që “komanda” e lashtë po i ndez motorët. Nga një anë tallen me Albinin, në anën tjetër godasin Vjosën. Lind pyetja, çfarë duhet të bëjë Vjosa në këto kushte? A duhet të largohet ajo nga LDK-ja dhe t’ua lërë atë të përhershmëve?

Unë mendoj se kurrsesi Vjosa nuk duhet të largohet nga LDK-ja! Ajo është aty si përfaqësuesja më dinjitoze e të rinjve që e duan atë Parti. Ajo nuk është vetëm hambari më i madh i votave por është mbi të gjitha shpresa më e madhe reformuese LDK-së. Ajo duhet të luftojë me koracën mbrojtëse të arrivistëve të vjetër, ta çajë atë koracë dhe të ripërtërijë LDK-në e Rugovës. Dorëzimi i saj përpara presionit të tyre do ishte mbytje e kësaj shprese. Ajo ka votën e anëtarësisë me vete. Matematika që shpjegova më lart është në anën e saj.

/GazetaExpress/


Shtuar 29.01.2020 17:21