U kap duke marrë ryshfet, arrestohet inspektori i ndërtimit në Prishtinë

Një inspektor i ndërtimit në komunën e Prishtinës është arrestuar pasi që ai është kapur në flagrancë nga policia duke marrë ryshfet.

Siç njofton policia, ndaj inspektorit ishte bërë ankesë nga pronari i një kompanie ndërtimi se ai i kishte ndaluar punimet edhe përkundër që posedonte leje.

E për t’i vazhduar punimet, inspektori kërkoi para nga pronari i kompanisë.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë (NJRHKEK), më 29.09.2020 ka pranuar palën ankuese i cili ka deklaruar se është pronar i një firme ndërtimi që merret me ndërtime të larta. Ankuesi tregon se është duke e ndërtuar një objekt në një lagje të Prishtinës dhe se edhe përkundër faktit që posedon leje ndërtimi iu kanë ndaluar punimet nga një inspektor i ndërtimi i Komunës së Prishtinës dhe sipas tij, ky i fundit është duke i kërkuar ryshfet për t’ ia lejuar vazhdimin e punimeve”, thuhet në komunikatën për media nga policia.

Pas informatave Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Prishtinë, gjatë së martës ka arrestuar inspektorin derisa ai ishte duke pranuar para nga pronari i kompanisë.

“NJHRKEK – Prishtinë pas pranimit të informatës, ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të verifikimit të informacionit që jep ankuesi, sigurohet simulimi i veprës penale (sigurimi i parave, fotografimi i parave që do përdoren për simulim). Dje, më 29.09.2020, në ora 17:00, në një restauruan në Prishtinë realizohet arrestimi në flagrancë i një të dyshuari i cili kishte pranuar një shumë parash nga ana e ankuesit. Paratë e marra i gjinden në çantë personit të dyshuar”, thuhet në komunikatë.

Më këto veprime i dyshuari dyshohet se ka kryer veprat penale: ’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘marrja e ryshfetit’. I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar të PTH-Prishtinë, i njëjti me akt-vendim për ndalim të dyshuarit është dërguar në mbajtje për 48 orë.


Shtuar 30.09.2020 08:12