Thaçi: Kosova nuk duhet të vonohet në dialogun me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë konferencës për shtyp deklaroi se Kosova nuk duhet të vonohet në dialogun me Serbinë, duke shtuar se duhet lëvizur shpejtë në këtë drejtim në mënyrë që të Kosova të anëtarësohet në BE e NATO.

Thaçi shtoi se është optimist se marrëveshja me Serbinë do të arrihet brenda këtij viti.

“E para si president shpreh mirënjohjen për heqjen e çfarëdo preteksti që Serbia e ka shfrytëzuar për t’i ikur dialogut. Kosova e ka të qartë se çfarë kërkon në dialog. Mbi të gjitha Kosova në këtë proces është bashkë me SHBA dhe gjithë aleatët e tjerë. Duhet të lëvizim sa më shpejt në këtë drejtim që të jemi pjesë e BE-se e NATO-s. Pushtetet janë të ndara, por përballë Serbisë duhet të jemi të gjithë të bashkuar. Unë besoj që do të ketë hapa konkret në këtë drejtim. Ne kemi pasur disa kauza të rrejshme që e kanë vonuar shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti theksoi se Kosova është gati, duke shtuar se do të punojnë që të jenë sa më unik e të bashkuar dhe se uniteti i brendshme lehtëson punën e partnerëve ndërkombëtarë.

“Se çka do të bëjë Serbia nuk mund të flasë ka obligime nuk do të lejojmë që t’i cenohet sovraniteti Kosovës. Se a do të mund të arrihet marrëveshja brenda këtij viti jam optimist se gjërat do të lëvizin në kahen e duhur. Destinacioni ynë është i qartë që të jemi pjesë e familjes evropiane”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Kosova do të punojë në implementimin e plotë të marrëveshjeve që janë nënshkruar në fillim të vitit.

“Dëshiroj gjithashtu të potencojë se vendimet e Qeverisë u pasuan me reagimin pozitiv të SHBA-së. Menjëherë u zhbllokuan fondet e MCC-së. Bursat që u patën ndalë tani do t’i marrin përsëri. Vendimet e fundit që sollën këto të arritura, dëshmuan se nuk duhet të vonohemi, se duhet të marrim vendime të rëndësishme, por edhe dëshmuan se kauzat si demarkacioni, taksa ishin populiste dhe i humben kohë Kosovës i shkaktuan dëm institucioneve të vendit dhe imazhit tonë”, ka thënë ai.

Ai ka ftuar edhe njëherë BE’në që të vendosin për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Ne kemi pasur disa kauza të rrejshme populiste, të dëmshme për shtetin. Për të penguar në kuptimin të mbështetjen e partnerëve tonë, mendoj se tashmë është gjithçka e qartë. Ftoj BE’në që të unifikoj qëndrimin sa i përket liberalizimin e vizave”, tha presidenti i shtetit.


Shtuar 8.06.2020 09:55