Të tërhiqet mocioni, rrezikon jetën e rreth 170 personave në Parlament

Rreth 170 persona do të duhej të mblidheshin përafërsisht në Parlamentin e Kosovës në rast të mbajtjes së ndonjë seance.

Një seancë e tillë, sipas analistëve më shumë do t’i bënte dëm se sa nderë Kosovës, derisa kërkojnë tërheqjen e mocionit, në këtë kohë kur edhe janë shënuar viktima nga infektimi me virusin COVID-19.

Profesori i shkencave politike, Donik Sallova, thotë për arbresh.info se në këtë kohë janë ndaluar tubime më të rëndësishme për shtetin dhe shoqërinë, si mbledhja e nxënësve në klasat e tyre shkollore e të studentëve nëpër auditore universitare, të mbledhësh Kuvendin për të bërë mocion ndaj qeverisë, sipas tij, është krejt e kundërta e asaj çfarë qytetarët presin nga të zgjedhurit e tyre.

“Nëse LDK-ja e ka ndarë mendjen për ta prishur qeverinë për Agim Veliun, këtë gjë mund ta bëjë edhe pas 2-3 javësh. Por, halli i LDK-së është që brenda datës 1 prill taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjes do jetë hequr plotësisht dhe kostoja e daljes nga një qeveri me reputacion në rritje për Agim Veliun do jetë shumë e lartë elektoralisht. LDK-ja dëshiron me dalë nga qeveria me pretekstin e mos-heqjes së taksës që pastaj ri-hyrjen e saj në koalicion me partitë e PAN-it ta shesë si proamerikanizëm”, vlerëson Sallova.

Ligjeruesi tjetër universitar, Vigan Qorrolli, thotë për arbresh.info se mocioni duhet të tërhiqet sado që të jenë përpjekje legjitime e të arsyeme.

“Rrëzimi i qeverisë në këtë moment është gjëja më e palogjikshme dhe më e pakapërdishme që mund t’i ndodh Kosovës. Po të bie kjo qeveri, qytetarët nuk i binden as karantinës, as kujt tjetër. Do mbesim në mëshirën e Zotit. Do bëhemi më keq se Italia”, shprehet Qorrolli.

Për ekspertin tjetër të rrethanave politike në vend, Gazmir Raci, lufta për pushtet mund të jetë katastrofike për qytetarët, që mund të jetë e parëndësishme nëse ndodhë ajo që po e shohim në vendet evropiane.

“Partitë politike në Kosovë, fatkeqsisht, ka kohë që e kanë humbur kredibilitetin e tyre. Kosovës i duhet qeveri e shpëtimit kombëtar nga virusi dhe ndarjen e mundshme territoriale te Kosovës që mund të jenë ende në tavolinë të bisedimeve. Vetëm debatet dhe angazhimet për menaxhimin e COVID-19 i bëjnë dobi Kosovës. Kjo është duke ndodhë në cdo vend normal”, deklaron Raci për arbresh.info.

Seanca për mocionin për rrëzimin e qeverisë, sipas afateve kushtetuese do të duhej të mbahej më së largu të mërkurën. Kuvendi i ka kërkuar opinion Institutit të Shëndetësisë Publike në lidhje me mbajtjen e kësaj séance.


Shtuar 23.03.2020 18:05