Shtohen shifrat, si paraqitet situata e COVID-19 në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se numri total i rasteve pozitive është 8.799 raste nga 37.411 persona të dyshuar si të infektuar me koronavirus, me gjithsej 249 viktima të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

IKSHPK njoftoi se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4.863 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.687.

Instituti thekson se zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.

“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”.

Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

“Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve”.


Shtuar 3.08.2020 06:28