Koronavirusi deri më tani ka prekur 2216 persona në Kosovë, ku 38 prej tyre kanë humbur jetën dhe 1069 janë shëruar.
Por, sa ka bërë rrethi dhe shoqëria për të prekurit me Covid-19 gjatë kohës sa ishin aktiv?!
Portali.info ka kontaktuar me një nga të prekurit i cili ka kaluar sfidën e Covid-19, që ka treguar përvojën e tij me virusin.
A.B (emër i njohur për redaksinë), ka thënë se nuk ka pasur asnjë simptomë të vetme dhe se ka shfrytëzuar kohën për tu përgatitur për provime.
“Unë për vete nuk kam patuar asnjë simptomë të vetme, jam ndjerë shumë mirë, kjo më ka bërë që qëndrimin në izolim ta marrë me qetësi dhe gjatë kohës në izolim jam përgatitur për provime, kam shikuar filma të ndryshëm”, ka thënë ai.
Tutje, ai theksoi se nuk ka pasur ndonjë paragjykim nga rrethi dhe i është kthyer jetës normale sikur të gjithë qytetarët e tjerë.
“Unë për vete nuk kam pasur ndonjë paragjykim nga të tjerët, aq më tepër rrethi dhe shoqëria, më ka ndihmuar shumë gjatë kohës së izolimit, kam pasur shumë telefonata nga shokët”, ka thënë A.B. për Portali.info.
Për fund, ai ka dhënë një mesazh për qytetarët e Kosovës.
“Për fund, do t’i kërkoja të gjithë qytetarëve të Kosovës, t’i përmbahen rekomandimeve të IKShPK-së. Vetë fakti se është një virus i ri, i panjohur dhe me simptoma të ndryshme, apo pa simptoma fare, na obligon që të jemi më të kujdesshëm, se më të vërtet ky virus nuk paska këmbë”, përfundoi A.B.
Kujtojmë se tashmë Qeveria e Kosovës ka zbutur masat për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, por është duke apeluar tek qytetarët për kujdes dhe përmbajtje të këshillave nga IKSHPK-ja.
