Sheshet e Prishtinës vazhdojnë të jenë të mbushura me qytetarë.
Edhe përkundër masave që ka marrë Qeveria për mbrojtje nga koronavirusi, kafiteritë e kryeqytetit kanë qenë të mbushura të enjten.
Madje, të paktë janë ata që kanë maska e mjete të tjera mbrojtëse, raporton KOHA.
Ndërkaq, vetë qytetarët thonë se nuk ndihen të rrezikuar nga virusi COVID-19 e qëndrimi në hapësira publike.
Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ka propozuar masa shtesë e plan funksionimi krahas vendimeve të marra të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë.
Deri tani, në Kosovë nuk është konfirmuar asnjë rast pozitiv me koronavirus, kanë njoftuar autoritetet.
Edhe 11 rastet e dyshuara këtë të enjte kanë rezultuar negative.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP-ja u kanë rekomanduar qytetarëve t’u përmbahen masave që janë vendosur e të vetizolohen.
Qytetarët kanë pranuar edhe mesazhe në telefon nga MSH-ja për udhëzime se si duhet të mbrohen nga koronavirusi e si të veprojnë në rast të paraqitjes së simptomave.