PDK i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit

Partia Demokratike e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Partia Demokratike e Kosovës pritet të marrë pjesë në takimin e ftuar sot nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar për gjendjen me pandeminë COVID-19.

Burime të lajmi.net, brenda PDK-së bëjnë të ditur se partia më e madhe opozitare do t’i përgjigjet ftesës së kryeministrit të shkarkuar, ndërsa në emër të PDK-së në këtë takim do të marr pjesë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Memli Krasniqi.

Theksojmë se, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e kishte bërë këtë ftesë të premten e kaluar ku kishte thënë se i ftuar do të jetë edhe presidenti Hashim Thaçi dhe të gjithë liderët politik, dhe do të diskutohet për situatën e pandemisë në Kosovë.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë takim. Ndërsa Nisma Socialdemokrate ende nuk ka qëndrim lidhur me ftesën e kryeministrit në detyrë.


Shtuar 20.04.2020 09:12