Osmani paralajmëron takim me Kurtin për taksën

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se sot do të takohet me kryeministrin Albin Kurti ku do të diskutohet për çështjen e taksës.

Ajo ka deklaruar se askush në Qeverinë e Kosovës nuk ka qëllim që të rrezikojë raportet me SHBA-të.

“Ne sot do të kemi takime me kryeministrin Albin Kurti që të diskutohen këto çështje. Më konkretisht lidhur me propozimin e tij të fundit do të dalim me qëndrim vetëm pas atij takimi”.

“Sa i përket vlerësimeve se dikush po tenton të rrezikojë ose shkatërrojë raporte me SHBA-të, më lejoni të flas në cilësinë e kryeparlamentares që në asnjë moment nuk kam parë tendencë ose qëllim nga kushdo në Qeverinë e Kosovës që të dëmtojë relacionet me SHBA-të”.

“Shoh gatishmëri të plotë të të gjithë anëtarëve të Qeverisë që çdo veprim ta bashkërendojnë me partnerët tanë raportet me të cilët i kemi ekzistenciale si shtet. Kam bërë thirrje vazhdimisht që të ketë dakordim të tillë dhe çka do që mund të jetë detaj që nuk ka pajtim për momentin, jam e bindur se do të arrihet shumë shpejt”.

Thirrja ime është që për tema të rëndësisë së tillë dakordimet të gjenden duke punuar në mirëbesim, në veçanti partnerët qeverisë duke u ulur dhe diskutuar së bashku në institucione, sepse nuk ka nevojë për akuza përmes mediave”.

Osmani ka thënë se për tema të rëndësisë së tillë, siç është çështja e tarifës, duhet të ketë konsultime dhe dakordime, njofton Klan Kosova.

“Secili përfaqësues institucional i Kosovës duhet të niset nga dy parime themelore: mbrojtja e interesave të vendit tonë dhe mbrojtja e miqësive me partnerët strategjikë. Këto duhet të shkojnë edhe njëra edhe tjetra, sepse nuk mund të jetë vetëm njëra ose tjetra. Jam e bindur që një gjë e tillë do të arrihet në dakordim të plotë me partnerët”.

“S’kam parë në asnjë moment që ka intencë nga kushdoqoftë që të prishen këto marrëdhënie – për këtë ju siguroj”.


Shtuar 28.02.2020 15:26