Ditën e sotme një qytetar nga Gjakova gjeti në oborrin e shtëpisë një zarf që brenda mbante një mesazh kërcënues.
Ai e raportoi këtë ngjarje menjëherë në Polici ndërsa mësohet që i kërcënuari është ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ke qenë bashkëpunëtor i Serbisë, nuk ke ku shkon, do të të vrasim”, janë fjalët të cilat përmban letra kërcënuese ndaj qytetarit.
Ndërkaq në raportin e policisë theksohet se lidhur me këtë ngjarje është njoftuar prokurori dhe se po bëhen të gjitha hetimet e nevojshme për zbardhjen e rastit.
“Viktima mashkull K/Shqiptar ka raportuar se, në oborrin e tij ka gjetur një zarf me përmbajtje kërcënuese. Lidhur me rastin është informuar prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, ka njoftuar policia. /albeu.com/