Maskat bëhen të detyrueshme, masat strikte që ndërmori sot Kosova

Qeveria e Kosovës ka miratuar disa masa të reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Mësohet se përdorimi i maskave bëhet i detyrueshëm nga të gjithë qytetarët jashtë shtëpive të tyre.

“Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme për ndërmarrjen e masave, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19 është për obligimin e të gjithë banorëve të Republikës së Kosovës që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2m në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre. Vendimi obligon gjithashtu që të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme, në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Po ashtu, listës së qyteteve që futen në karantinë nga ora 21:00 deri në orën 5:00 u janë shtuar edhe Mitrovica e Jugut, Gjilani, Fushë-Kosova dhe Shtërpca.
Ndalesa fillon nga sonte (13 korrik).

Me vendimin e ri të Qeverisë, shtetasit e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Bosnje e Hercegovinës, s’mund të hyjnë në Kosovë pa e pasur me vete vërtetimin se kanë rezultuar negativ në testimet për COVID-19.

“Qeveria ka aprovuar edhe vendimin me të cilin obligohen të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Bosnje e Hercegovinës, që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të dëshmojnë se nuk vuajnë nga COVID-19, me anë të vërtetimit që dëshmon testin RT-PCR negativ në Sars COV-2, jo më të vjetër se 72 orë nga koha kur paraqiten në kufirin e Republikës së Kosovës”, bëhet e ditur në vendimin e Qeverisë.

Sipas këtij vendimi, përjashtimisht nga ky vendim, të gjithë qytetarët e këtyre vendeve, gjatë hyrjes përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për test RT-PCR, por ata do të nënshkruajnë një deklaratë ku deklarohen se në afat prej 3 orëve do ta lëshojnë territorin e Republikës së Kosovës.

“Edhe qytetarët e këtyre vendeve që shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” për udhëtim në vendet e treta, nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për test RT- PCR”, thekson vendimi.

Nga ky vendim përjashtohen edhe transportuesit që vijnë nga këto vende në Republikën e Kosovës.

“Transportuesit që vijnë nga këto vende në Republikën e Kosovës nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por janë të detyruar të respektojnë protokollet për transport ndërkombëtar”.

“Edhe transporti i organizuar me autobusë ose linja të rregullta ndërkombëtare në transit nga këto vende, nuk duhet të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por ata nënshkruajnë deklaratën me të cilën obligohen të lëshojnë territorin e Republikës së Kosovës brenda 5 orëve”.


Shtuar 13.07.2020 13:19