Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur mbledhjen e parë ceremoniale të qeverisë së re me të gjithë vartësit e tij. Kurti deklaroi se në kabinetin e tij nuk do të ketë parti të ndara, por ekip qeverisës.
Shefi i ekzekutivit në mënyrë figurative u tha ministrave se karriget i kanë, por se duhet të rrinë më shumë në këmbë që të punojnë për vendin. “100 ditët e para do të jenë ditë të zëna me angazhim dhe përkushtim maksimal; karriget i kemi por më shumë do të rrimë në këmbë, programi ynë është ambicioz, por të tilla janë edhe pritshmëritë e qytetarëve.
Sytë e të gjithë popullit janë tek ky kabinet qeverisës. Mandati duhet të jetë më shumë për të shërbyer e jo për të urdhëruar. Shanset për sukses i kemi të mëdha”, tha ai. Kurti i bëri thirrje ministrave që të kalojmë më shumë kohë me qytetarët dhe të tregojnë angazhimin dhe profesionalizimin e tyre.