“Kërkoni të bëjmë kurban kreun e Kuvendit”, Kurti refuzon kërkesën e LDK

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk e pranoi kërkesën e LDK për të marrë postin e kryetarit të Kuvendit me qëllim që të arrihet marrëveshja për qeverinë e re.

Kurti i dërgoi një letër Isa Mustafës, ku mes të tjerash theksoi se kryetari i i zgjedhur i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk duhet të largohet. Sipas Kurtit, diçka e tillë do të ishte një ogur i keq për qeverinë e re.

“Është për të ardhur keq që ju vazhdoni që ne të bëjmë marrëveshje për ta larguar kryetarin e zgjedhur të Kuvendit, zotin Glauk Konjufca. Qeverisja jonë e përbashkët do ta kishte një ogur fort të keq nëse për gur themeltar ka bërjen kurban të Kryetarit të Kuvendit, zotit Konjufca dhe në shkeljen e vullnetit të lirë të deputetëve që e zgjodhën atë.

Zoti Konjufca ka marrë 75 vota në Kunvendin e Republikës, përfshirë edhe 27 votat e deputetëve të LDK-së… Përveçse keni të drejtë, ju keni edhe gjasa t’a shkarkoni zotin Konjufca, por unë nuk mund t’ju ndihmoj në këtë rrugë”, iu drejtua Kurti kreut të LDK.

Mirëpo Isa Mustafa nuk e konsideroi këtë letër si zyrtare. Në një deklaratë për mediat ai u shpreh se do ta shohë me detaje shkresën e Kurtit, ndërsa nënvizoi se marrëveshja duhet të mbyllet sa më parë.

“Letrën do ta shohim. Nuk e konsideroj letër zyrtare… por ajo që mund t’ju them është që ne jemi të interesuar ta përmbyllim këtë proces, për të bërë marrëveshje për të themeluar institucionet dhe që mos të vazhdojë akoma kjo agoni e institucioneve”, u shpreh Isa Mustafa.

Kujtojmë që LDK ka vënë si kusht për bashkëqeverisje postin e kryeparlamentarit dhe gjysmën e ministrive.


Shtuar 16.01.2020 20:32