“Ishte rrahur për vdekje nga gardianët”, ish-shoku i qelisë rrëfen tmerrin që përjetoi Kurti

Ishin të dy të burgosur në institucionin e vuajtes së dënimit në Lipjan rreth vitit 1999 teksa konflikti mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve ishte në nivelet më të larta.

Ish-shoku i qelisë së Albin Kurtit (kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, kandidat për kryeministër), ka rrëfyer momentet më të tmershme, atëherë kur gardianët serbë kanë rrahur bashkëvuajtësin e tij.

Enver Dugolli kthehet pas në kohë, në mbrëmjen e 9 qershorit 1999, atëherë kur gardianët serbë të Burgut të Lipjanit rrihnin pa ndalim një të burgosur, ku më vonë u mor vesh se ai kishte qenë Albin Kurti.

Trajtimin e ngjarjes ai e ka përshkruar në një vepër të tij që e ka botuar së fundmi me “Qark i (Pa)mbyllur Burgjesh”

Postimi i tij në rrjetet sociale:

9 qershor 1999, Burgu i Lipjanit

“…Na kapi fort shqetësimi ngaqë dëgjonim një rrahje të pamëshirshme dhe të pandërprerë diku prej një dhome të burgut. Duhet të ishte ora dhjetë e mbrëmjes kur kishte nisur rrahja. Nuk po ndalej. Në fillim dëgjohej vetëm një gjysmë zëri i njeriut që rënkonte nën goditjet. Ngaqë goditjet ishin shumë të shpeshta, ne gjykonim se po torturonin disa të burgosur njëkohësisht. Edhe atë gjysëm zëri nuk e dëgjonim më, por goditjet po. Ato vazhdonin me të njëjtin vrull. Lidhëset plastike në duar dhe zhurma e goditjeve në vesh na mbanin zgjuar. Të mbetet pak për të menduar në ato çaste, por ajo pak ta shpon trurin. Vetëm më vonë mësuam se fjala ishte vetëm për një njeri. Njeriu që ishte rrahur për vdekje nga gardianët e burgut, gjithë natën deri në mëngjes, ishte Albin Kurti…”

Enver Dugolli “Qark i (Pa)mbyllur Burgjesh”


Shtuar 5.01.2020 08:46