Infektohet me COVID 19 një grua shtatzënë në Kosovë, në gjendje kritike për jetën

Infektologu Salih Ahmeti në një konferencë për media ka bërë të ditur se në Klinikën infektive, saktësisht në kujdesin intensiv e infektuar me coronavirus ndodhet edhe një grua shtatzënë, në javën e 28 dhe gjendja e saj është e rëndë.

Ahmeti bëri të ditur se janë duke e bërë në vazhdimësi monitorimin e gruas shtatzënë dhe janë në konsultime me mjekët tjerë të fushës.

“Po dje kemi marrë një shtatzënë, 28 javë, është gjendje të rëndë është në kujdesin intensiv”, tha Ahmeti, duke shtuar se janë në konsultime me mjekët e lëmisë, si gjinekolog, neonatolog, anesteziolog etj.

“Ne do të veprojmë duke i shfrytëzuar protokollet dhe përvojat më të mira të vendeve tjera. Dhe pa diskutim, mendimi i konsiliumit…”, tha ai.

Sipas tij, pacientja në Klinikën Infektive ka shkuar e intubuar me probleme në mushkëri.
Ahmeti tha se për gjithçka do të vendos konsiliumi dhe se po bëjnë krejt atë çfarë mund të bëhet.

Infektologu duke folur për gjendjen e përgjithshme me pandeminë COVID-19 në vend tha se nëse vazhdon të jetë kështu lakorja e sheshtë beson se do ta përballojnë.

“Nëse kemi një lakore kështu të sheshtë të rasteve, besoj se do të përballojmë… Dashtë Zoti të mos kemi numër të pakontrolluar të rasteve”, tha ai, duke shtuar se sot do të lirohen edhe tre persona të shëruar nga COVID-19.


Shtuar 16.04.2020 12:11