HOLOKAUSTI/ Kurti: Ne shqiptarët e dimë mirë çdo të thotë të jesh i padëshiruar

Kreu i VV, Albin Kurti ditën e sotme ka përkujtuar ngjarjen e Holokaustit. Sipas tij, edhe shqiptarët kanë përjetuar çdo të thotë të jesh i padëshiruar me urdhër nga pushtete e shtete të cilat vrasin një popull në emër të një populli.

“Në shenjë respekti për mbi 6 milionë viktimat, e në shenjë zotimi që secili nga ne, në hapësirën tonë të vogël e të përditshme, të dënojmë çdo jehonë të mentalitetit politik përjashtues të tjetrit, e sidomos ekstremin e vet që shkatërron e shfaros”, u shpreh Kurti.

Reagimi i plotë

Sot përkujtojmë me dhimbje tmerrin e hebrenjve gjatë holokaustit, me dëshirën që kurrë të mos përjetohen ngjarje të tilla tragjike, as nga hebrenjtë e as nga ndonjë popull tjetër.

Ne shqiptarët e dimë, fatkeqësisht, si është të jesh i padëshiruar, etni e dorës së dytë, që mund të përndiqet, dhunohet, shkatërrohet, zhduket, me urdhër nga pushtete e shtete të cilat vrasin një popull në emër të një populli.

Mbase ngjashmëritë në përvoja të dhimbshme historike bënë që para 8 dekadash shqiptarët të ruanin aq sa mundeshin hebrenjtë që jetonin me ta, e të tjerët që përpiqeshin t’i iknin tërbimit nazist.

Mbrojtja e viktimave nuk u bë për lavdi, as për falënderim, por thjesht pse ashtu duhet. Ashtu është njerëzorja. Të zbatosh urdhrat e pushtetit kundër asaj çka të thotë ndërgjegjja njerëzore, do të thotë ta shndërrosh veten në makinë – e pasojat e kësaj ishin fatale, në kohën e nazi-fashizmit, por edhe më vonë me gjenocidet afër nesh e te ne, njëherë në Srebrenicë, e pastaj në Reçak, Krushë, Mejë…

Holokausti, kjo ngjarje e pakrahasueshme për nga tmerri e dhimbja, ky kulm i poshtëm i aktivitetit njerëzor, duhet kujtuar përjetë, në Izrael e në gjithë botën. Në shenjë respekti për mbi 6 milionë viktimat, e në shenjë zotimi që secili nga ne, në hapësirën tonë të vogël e të përditshme, të dënojmë çdo jehonë të mentalitetit politik përjashtues të tjetrit, e sidomos ekstremin e vet që shkatërron e shfaros.


Shtuar 27.01.2020 11:50