Challandes: Po e prekim ëndrrën, Kosova jo vetëm si ekip, por edhe si shtet ka treguar se di t’i tejkalojë situatat e vështira

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes së bashku me sulmuesin, Atdhe Nuhiu janë paraqitur në konferencën për medie para ndeshjes me Maqedoninë e Veriut, raporton Zeri.info.

Sot në orën 18:00, “Dardanët” do ta zhvillojnë seancën e fundit stërvitore para kësaj përballjeje.

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, u shpreh optimist para takimit.

“Dy vite e gjysmë më parë, në takimin e parë me ekipin kemi folur rreth një ndeshjeje të tillë, jo si objektiv për t’u arritur apo target, por si një ëndërr e cila tashmë edhe është arritur”, ka deklaruar Bernard Challandes.

Tutje, zvicerani përmendi aftësitë e Kosovës për t’i kaluar situatat e vështira, si në futboll e edhe në sferat e tjera.

“Tani ka ardhur momenti kur ëndrrën mund ta prekim, kemi disa probleme dhe nuk jemi në situatën perfekte, por Kosova si Kombëtare e futbollit, por edhe si shtet ka treguar se di si ti kaloj situatat e vështira. Si trajner, je profesionist dhe nëse sheh vështirësi, atëherë duhet të ndërrosh punën me përgjegjësi, unë e kam të qartë me çka përballem, e shoh se kemi mundësi, shoh se mund të arrijmë diçka si ekip, koha ka ardhur, nuk mund të presim më shumë për të realizuar atë që duam” u shpreh Challandes.

Challandes ka sqaruar situatën e kapitenit Amir Rrahmanit.

Zvicerani ka lënë të nënkuptohet se Rrahmani nuk do t’i bashkohet Kosovës, duke deklaruar se kanë provuar në të gjitha mënyrat për ta futbollistin e Napolit dhe kapitenin e Kosovës, por që nuk ia kanë arritur.

“Po jetojmë në një kohë speciale me virusin dhe disa gjëra janë vështirësuar. Ne kemi tentuar me UEFA, FIFA, me Federatën e Italisë, me regjionin e Napolit. Për në fund nuk ka qenë e mundshme. Është e pakuptueshme se si një futbollist mund të vijë nga po i njëjti shtet, ku ai është pjesë e një skuadre që ka shumë raste me virus, për ne është e pa kuptueshme”, sqaroi Bernard Challandes.

Ai ndër të tjera u pyet edhe për mungesën e tifozëve në tribuna për shkak të situatës me COVID-19.

“Do të dëshiroja që ndeshja të ishte me tifozë. Për mua tifozët janë pjesa më e rëndësishme e futbollit. Por duhet ta pranojmë këtë situatë, dhe është e qartë se unë i dua të gjithë futbollistët e mi, por kjo është situata, duhet ta pranojmë”, theksoi Bernard Challandes.

Kosova, përkundër mungesave të shumta, do të mundohet ta fitojë ndeshjen e nesërme ndaj maqedonasve për ta prekur finalen e madhe, ndaj Bjellorusisë ose Gjeorgjisë.


Shtuar 7.10.2020 16:43