Ambasadori britanik, Nicholas Abbott mund të lexojë dhe të dëgjojë televizion në gjuhën shqipe, edhe pse ende nuk ndihet i gatshëm ta flasë lirshëm këtë gjuhë.
Abbott thotë se gramatika e gjuhës shqipe është për të një sfidë e vërtetë.
“Kam bërë disa trajnime në gjuhën shqipe para se të vij këtu, kështu që unë mund të lexoj dhe të dëgjoj televizionin në gjuhën shqipe. Por të folurit është sfida më e madhe – gramatika shqipe është e vështirë”, ka thënë Abbott, në një intervistë për “Zërin”.
Ai shprehet se i pëlqejnë ushqimet tradicionale në Kosovë, e sidomos specat djegës me kajmak. Ndër të tjera ambasadori britanik flet edhe për muzikën e tij të preferuar, librat, si dhe të përbashkëtat e kosovarëve dhe popullit anglez.
Ju nuk jetoni qe shumë gjatë në Kosovë, por cila ishte përshtypja e parë kur erdhët këtu?
Abbott: Përshtypja ime e parë ishte se si ndihet Kosova Evropiane. Unë kam kaluar shumë karrierën time në Lindje të Mesme, e cila është shumë ndryshe.
A e keni gjetur tashmë një vend në Kosovë ku ju pëlqen të kaloni fundjavën?
Abbott: Vendbanimi im i ri është një vend i shkëlqyeshëm për t’u çlodhur pas një jave të ngjeshur!
Çfarë lloj muzike pëlqeni dhe cili është këngëtari juaj i preferuar?
Abbott: Më pëlqen një gamë e gjerë muzikore si nga Britania e Madhe, Irlanda, SH.B.A., Iraku, Libani, Italia dhe Spanja. Disa prej tyre janë muzikë tradicionale popullore, disa rock, e disa pop. Kurse kohëve të fundit kam dëgjuar shumë Bruce Springsteen.
A i konsumoni produkte kosovare dhe cili nga ushqimet tradicional nga Kosova që ju pëlqen më shumë?
Abbott: Më pëlqejnë specat me kajmak (djegës sidomos).