Ambasadori amerikan për sekuestrimin e 1 milion euro pasuri: Hap i madh!

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett ka vlerësuar pozitivisht vendimin e Gjykatës së Apelit për sekuestrimin e rreth 1 milion eurove pasuri të paligjshme, raporton Gazeta Express.

Ambasadori Kosnett ka shkruar në Twitter se vendimi i Gjykatës për konfiskimin e pasurisë së paligjshme është një hap i madh i drejtësisë, dhe angazhim të tillë duhet të ketë nga të gjitha institucionet në Kosovë.

“Drejtësia në Kosovë ka bërë një hap të madh me vendimin e Gjykatës për të konfiskuar afër një million euro përmes pastrimit të parave. Një porosi e qartë që askush nuk duhet të gëzojë pasuri të paligjshme. Qytetarët meritojnë të shohin angazhim të njëjtë për drejtësi nga të gjitha institucionet e Kosovës në të gjitha rastet”, ka shkruar ambassadori amerikan.

Gjykata e Apelit ka njoftuar se të akuzuarve për shpëlarje parash u janë vërtetuar dënimet me burgim, dhe u është konfiskuar pasuria në vlerë rreth 1 milion euro.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Apeli ka bërë me dije se ua ka vërtetuar dënimet me burgim me kusht prej dy vjetësh të akuzuarve F.S. dhe M.S.

“Atyre gjithashtu, u është vërtetuar edhe dënimi plotësues i shqiptuar nga ana Gjykatës Themelore në Prishtinë, për konfiskimin e pasurisë/ sendeve të përfituara nga kryerja e veprës penale në shumën prej 946,820.84 eurove”, thuhet në komunikatë.


Shtuar 7.02.2020 14:48