A do të dorëhiqen Thaçi dhe Veseli? Nurellari: Rastet të pakrahasueshme me Haradinajn, Specialja drejt dështimit

“Një akt agresiv me prapavijë politike”. Kështu i cilëson Adri Nurellari aktakuzat e Zyrës së Prokurorit Special në Hagë ndaj presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Nurellari: Është një ton harbut. Ka qenë një akt i pasjellshëm dhe agresiv me një prapavijë politike. Diskretiton këtë proces dhe gjykatat Speciale.Patëm një deklaratë me interes dhe qëllim politik, e shikojmë si fyerje me prapravijë politike që drejtohet jo vetëm ndaj këtyre dy personave. Bëhet fjalë për akuza shumë të rënda për krime kundër njerëzimit.

Në një intervistë për Rtv Ora, këshilltari i Kadri Veselit, thotë se tentativa për ta paraqitur si çështje të disa individëve dhe jo baltosje të luftës është vetëm mashtrim.

Nurellari: Prokurori nuk ka nevojë të bëjë deklarata që kanë lidhje me opinionin publik, duhet ti përmbahet mandatit të vet. Nuk mund të shkëputet historia e UÇK prej themeluesve dhe drejtuesve të saj. Akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit bëhen sepse kanë qenë në krye të strukturës së UÇK. Të thuash që janë të shkëputura është mashtrim. Sulmi ndaj tyre është sulm ndaj UÇK, luftës së pastër të popullit shqiptar. Është tentativë e drejtëpërdrejtë për të manipuluar historinë dhe për të barazuar xhelatin dhe viktimën.

Ndërsa Ramush Haradinaj ka dhënë shembullin e tij dy herë me dorëheqje, Nurellari nuk gjen paralelizma me rastin e Thaçit dhe Veselit, duke deklaruar se nuk ka ende një akuzë të qartë.

Nurellari: Haradinaj ka dhënë dorëheqje kur ka qenë kryeministër pasi ka marrë një akuzë. Këtu nuk kemi proces. Nuk qëndron paralelizmi. Për rastin e dytë nuk vlen fare sepse Haradinaj është thirrur për intervistë si shumë luftëtarë të tjerë të UÇK. Nuk ka akuzë por thjesht pretendim. Gjykatësi ka 6 muaj për të pranuar aktakuzën. Jam i bindur në pafajësinë e kësaj lufte. Mos kini asnjë dyshim që kjo gjykatë do të dalë e dështuar sikundër kanë dalë të dështuar gjyqe të tjera ndaj lufëtarëve të UÇK në gjykata të tjera.

Teksa gjykata do të vendosë për pranimin apo jo të këtyre akuzave, Nurellari thotë se ai njoftim minoi dialogun me Serbinë, njëherësh ka dëmtuar stabilitetin e brendshëm politik të Kosovës.

Nurellari: Dialogu është sabotuar, ka një përpjekje politike dhe nuk është rastësi që është bërë kjo rishpallje tre ditë para dialogut dhe pas një fitoreje të Vuçiçit. Deklarata e minon plotësisht besimin që mund të kenë qytetarët te kjo gjykatë. Kemi sabotim të një procesi shumë të rëndësishëm dhe një dëmtim të stabilitetit të brendshëm të jetës politike të përditshme të vendit.Është pretenduar në mënyrë shumë të ulët që këta janë duke u futur në dialog se kanë frikë nga Gjykata Speciale dhe do të bëjnë lëshime.U dëshmua që Gjykata Speciale e ka bllokuar dialogun.Ka bërë të kundërtën e asaj që kanë pretenduar.Ka qenë një paketim publicistik. Është akuza e tretë që bën kjo prokurori, dy të tjerat nuk janë pranuar. Kjo prokurori është drejt dështimit.

Adri Nurellari nuk preferon të bjerë në nivelin e teorive konspirative, por thotë se fakt është se ka një tension diplomatik mes SHBA-BE, por edhe brenda politikës amerikane.

Nurellari: Ka një lloj rivaliteti diplomatik SHBA-BE dhe një garë zgjedhore në SHBA. Po hamendësoj që ka interesa më të mëdha që Kosova është bërë pre e këtyre interesave. Nuk dua të bie në konspiracion por qartazi ka tensione që shihen në ajër. Përtej dialogut kjo është e rëndësishme edhe për të ardhmen e popullit shqiptar. Shikoj shumë zëra që mezi presin të lajnë hesapet me rivalët e tyre politikë që nuk i mundin dot me votë dhe shpresojnë se një institucion ndërkombëtar do ti nxjerrë jashtë loje, kjo është një shpresë malinje e shumë aktorëve dhe faktorëve që po flasin për to.Kemi një farë delli inatçor ne shqiptarët.


Shtuar 26.06.2020 15:28