”Janë më të keqpaguarit në Europë”, Xhixho: Në mbështetje të plotë të protestës së mësuesve

Nënkryetarja e PL-së, Erisa Xhixho përmes një postimi në rrjetet sociale shprehu mbështetje të plotë të protestës së mësuesve të Shqipërisë.

Xhixho u shpreh gjithashtu se mësuesit shqiptarë janë më të keqpaguarit në Europë.

Postimi i Xhixhos:

Në mbështetje të plotë të protestës së mësuesve të Shqipërisë, të cilët në mënyrën më të drejtë dhe dinjitoze kërkuan sot paga më të mira dhe përmirësim të kushteve të punës.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ata që përgatitin sot shoqërinë e së nesërmes janë më të keqpaguarit në Europë.

Paga e mësueve shqiptarë, nga nisja e punës e deri në pension, rritet me vetëm 14 për qind, çka e bën Shqipërinë vendin e fundit europian për nxitjen e karrierës në mësuesi.

Aktualisht, buxheti i vitit 2024 e financon arsimin në vlerën 2.29% e PBB, më i ulëti në rajon.

Mijëra mësues nëpër rrethe punojnë me klasa të bashkuara, pa laboratorë dhe udhëtojnë me orë të tëra, pa u rimbursuar për kostot e transportit.

Në solidaritet të plotë me bindjen e mësuesve se nuk ka arsim cilësor pa mësues të mirëpaguar, Partia e Lirisë e sheh investimin te arsimi si strategjinë kryesore për të luftuar shpopullimin masiv të vendit.

Plani ynë me 5 prioritete për objektivin “Shqipëria – 4 milionë shqiptarë” parashikon:
Dyfishim të buxhetit për arsimin, kërkimin shkencor dhe inovacionin, mbi mesataren e vendeve të BE.

Vënien e mësuesit në qendër të reformës. Dyfishim të pagave të mësuesve dhe mbështetje me bonuse, duke marrë shembull vendet nordike.

Reformim të thellë të kurrikulave shkollore, nga grupe ekspertësh jashtë çdo pazari apo përfitimi në kurriz të cilësisë së teksteve.

Investimin në arsim dhe kërkim shkencor në nivelin 5% të PBB
Mbështetje financiare për mësuesit dhe studentët e degëve prioritare
Trajtim me investime prioritare të degëve të teknologjisë dhe informacionit
Duke u kthyer mësuesve dinjitetin që meritojnë, do ta bëjmë Shqipërinë vendin e të gjithëve, jo vetëm të disave!

 


Shtuar 1.05.2024 16:45