Shqipëria hap lokalet, Kosova gjen zgjidhjen perfekte e hap transportin publik (FOTO LAJM)

Prishtina e ka gjetur zgjidhjen për transportin publik.

Nga dje në kryeqytetin e Kosovës urbanët kanë nisur punën me orar të plotë, por me disa rregulla për të kufizuar numrin e qytetarëve që udhëtojnë për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

Kryetari Shpend Ahmeti ka treguar përmes fotove sesi do të udhëtojnë qytetarët në Prishtinë nga sot e tutje, me indikacone se ku mund të ulen duke lënë një sedilje bosh dhe pozicionet se ku mund të qëndrojnë në urban.

Numri maksimal i qytetarëve në urban do të jetë 20 dhe nuk do të lejohet hyrja pa maska. Nëpër urbanë janë vendosur dezinfektantë dhe të gjithë njerëzit duhet të kenë një vërtetim që janë në punë ose të udhëtojnë në orarin e lejuar të daljes.

“Mirëdita Prishtinë! ☀️

Javën po e fillojmë me lehtësim të mëtutjeshëm të qarkullimit dhe hapje graduale të disa bizneseve.

Prej sot, me orar të plotë po operojnë edhe autobusët e Trafikut Urban por me rregulla të reja dhe numër të kufizuar të udhëtarëve në 20. Përtej masave mbrojtëse kundër #covid19 që po zbatohen në çdo autobus, secili udhëtar duhet të ketë edhe maskën.

Bashkë do ia dalim. Javë të mbarë dhe shëndet!#prishtina 💙”

E ndërkohë që Prishtina e gjeti zgjidhjen, Tirana është ende në pritje! Kryeministri Edi Rama u shpreh se transporti publik do vijojë të jetë i mbyllur, sepse paraqet rrezikshmëri të lartë dhe deri më tani nuk ka asnjë plan.

Ndërprerja e aktivitetit për shkak të COVID-19, ka futur në krizë edhe sektorin e Transportit.

Kreu i shoqatës “Transporti Kombëtar Interurban”, Kujtim Mema tregoi pak kohë më parë vështirësitë që po has ky sektor. Sipas Memës, shumica e transportit ndërqytetas është me kredi dhe një e dytë shtesë do të ishte shumë e vështirë për tu shlyer. Ai kërkoi rifllimin e aktivitetit, pasi përndryshe sektori do të shkonte drejt falimentit, shkruan Iconstyle.

Mema bëri me dije se përgjysmimi i kapacitetit, mund t’i detyrojë që të rrisin biletën me 30%.


Shtuar 19.05.2020 19:22