Ra në ujë e i dashuri e la të mbytej, 24-vjeçari i martuar në Angli (FOTO LAJM)

Enisa Doda, 17-vjeçe, u mbyt në det pasi ra nga një motor uji në Velipojë, ngjarje e ndodhur pasditen e së mërkuerës.

I tillë ka qenë rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore.

Sipas ekspertizës, shkaku i vdekjes ka ardhur nga bllokimi i frymëmarrjes së vajzës.

Mbi dyshimet se mund të jetë aksidentuar nga motorskafi kur u rrëzua në ujë, ekspertët thanë se, shenjat e nxira në trup janë si pasojë e bllokimit të frymëmarrjes dhe jo nga dhuna, apo përplasja, qoftë edhe aksidentalisht, siç dyshoi fillimisht policia.

Ndërkohë 24-vjeçari, që e shoqëronte, Indrit Bajraktari, është marrë sërish në pyetje nga policia pas arrestimit.

Ai raportohet se i ka thënë policisë se do të flasë në gjyq, duke mos dëshmuar sesi ra nga motori i ujit Enisa Doda.

17-vjeçarja kishte dalë për xhiro në det me Indrit Bajraktarin, emigrant i ardhur nga Anglia për pushime.

Dyshohet se ai pas ngjarjes nuk i dha ndihmë dhe ka dalë me not në breg, duke tentuar ta fshehë tragjedinë.

Mbetet e paqartë nëse vajza u la rreth 800 m larg bregut të detit, kur u mbyt, apo është nxjerrë prej tij e pajetë dhe është braktisur në një zonë të plazhit. ku nuk kishte njerëz.

Pronarët që i dhanë me qera motorin e ujit 24-vjeçarit, pas dyshimeve kur ai mbërriti i vetëm dhe dukej i trembur, nuk e kanë lejuar atë të largohet. Indrit Bajraktari u tha fillimisht atyre se vajzën e mori xhaxhai, ndërkohë pas arrestimit në polici ai u shpreh se ajo u mbyt pasi ra në det.

Konfirmohet se kur Indrit Bajraktari u nis të futej me skafin në det ai dhe vajza kishin jelekë shpëtimi, ndërsa 17-vjeçarja u gjet nga peshkatarët pa jelek.

Familja e Enisa Dodës e njihte Indrit Bajraktarin. Ai rezultonte edhe i martuar në Angli, rreth një vit më parë.


Shtuar 21.08.2020 16:25