Emri i Eros Grezdës nuk figuron as këtë herë në listën e lojtarëve të thirrur nga Kombëtarja shqiptare për dy ndeshjet e para kualifikuese në Nations League.
Raporti i sulmuesit shqiptar me Edi Rejën nuk janë të mirë, që pas atij momenti kur vendosi të largohej nga grumbullimi, duke mos treguar maturi.
Grezda kërkonte një vend fiks në formacion me pretendimin se asokohe stërvitej me Rangers, por kjo dëshirë nuk iu plotësua nga trajneri italian.
Ndërkohë ditën e djeshme, magazinieri i Kombëtares kuqezi, Fatos Kademi, ka postuar një fotografi nën shoqërinë e Edi Rejës në rrjetin e tij social. E këtu nuk kishte si të mos tërhiqte vëmendjen komenti i sulmuesit të Osijekut. “M’i bëj të fala”, ironizon Eros Grezda, që duket se ende ka pakënaqësi me trajnerin italian.
Kuqezinjtë, të cilët janë në Ligën C, Grupi 4, do ta nisin kompeticionin me ndeshjen kundër Bjellorusisë në Minsk, më 4 shtator, ndërsa tri ditë më pas do të presin Lituaninë në stadiumin “Air Albania”.