Dora-Albanian Book Club
Vitet e fundit është kthyer në “normalitet” ikja nga Shqipëria për një jetë më të mirë apo thjesht për sfida të reja, të cilat njeriu i vendos si objektiva për jetën e tij dhe të familjes.
Arsyet për gjithsecilin nga ne janë sa të ndryshme aq dhe të njejta kur vjen në diskutim cilësia e jetës së fëmijve, përfshirë shkollimin, shëndetësinë deri tek shoqëria në të cilën do të rriten.
Në këtë pikë të gjithë biem dakort që duam më të mirën e tyre. Të ndodhur përpara faktit që i morëm (themi i morëm sepse nuk pyetëm për dëshirat e tyre) dhe i zhvendosëm në një vend tjetër larg ambjentit ku u rritën, larg të afërmëve, na mbetet detyrë ne të rriturve t’ju mbajmë ‚gjallë´ gjuhën amtare dhe traditat tona.
Nisur nga sa më sipër një grup miqsh, të cilët jetojnë në Vjenë, Austri themeluan klubin e librit Dora, i cili ka për qëllim të rrisë dëshirën tek fëmijët për rëndësinë e të folurit, shkruajturit në gjuhën shqipe, të nxisë komunikimin me njeri tjetrin si dhe ndërgjegjësimin tek prindërit mbi rëndësinë e ndjekjes së mësimit të gjuhës shqipe në shkolla.
– Ne kemi nevojë për komunitet – thote Besi, më entuziasti mes nesh – duke pasur komunitetin ndihmojme njeri tjetrin.
Të gjendur mes përditshmërisë dhe luftës për mbijetesë në një vend të huaj, ashtu sikurse brujtur me idenë fikse – të fitojmë sa më shumë të ardhura – ne kemi harruar shpirtin – thotë Artani – i cili cdo detaj e konsideron tejet të domosdoshëm kur vjen puna tek femijët.
Dora u krijua si nevojë për të gjithë, fëmijë e te rritur si një ogur i mirë për komunitetin tonë të ri dhe atij disasa vjecarë në këtë qytet ku sa i jetueshëm është aq dhe na ben të ndihemi të huaj hera herës.
Rrugëtimin tonë donim ta fillonim tek shtepia jonë, sa e vogël aq dhe e madhe: Ambasada e Shqipërisë në Vjenë.
Donim së pari t’ju tregonim fëmijve se nga vinim e pse duhet te jemi krenarë per rrënjët tona, por të dëgjuar nga vetë Ambasadori, Z. Roland Bimo dhe ekipi i mrekullueshëm i Ambasadës.
U mblodhëm aty të vegjël e të rritur si afër vatrës në një shtëpi të madhe ku i pari i vendit na tregoi me shumë dashuri se pse dhe cfarë bënin ata aty për të gjithë neve.
E nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur pyetjet ishin nga më befasueset nga Doriani që pyet me një gegenishte të amël– po si është krijuar Ambasada? Tek Arjoni që pyet – pse flasin zogjtë – kur konsullja jonë i lexon përrallën e shqiponjës, e deri tek Mara camarroke që thotë – babi im i thotë t’lynë gjalpit.
Zemrat tona ishin ngritur në peshe nga gjithë ai entuziazëm fëminor dhe sytë që shkëlqenin teksa filluan të njihen me njeri tjetrin. Kështu kaloi mbremja jonë shqiptare në Vjenë me dëshirën e të gjithëve të mblidhemi përsëri sa më shpejt me fëmijët dhe ne të rriturit.
E teksa mbrëmja mbaroi, kupton se ajo që ke projektuar në kokë prej shumë muajsh po e shikon të realizuar kujton vështirësitë e kaluara për të mbërritur deri aty. Natyrshëm të kujtohet Jean-Paul Sartre, i cili thotë: “Një betejë është e humbur kur mendon se e ke humbur”.
Me Dorën, sapo i kemi filluar betejat tona për ruajtjen e gjuhës shqipe, e cila do ti bëjë fëmijët tanë krenarë një ditë kur ata të flasin për rrënjët tona.