Makina e ish-kryetarit të Gjykatës Elbasan, Arben Vrioni u dogj mbrëmjen e sotme në qendër të qytetit të Elbasanit.
Persona të paidentifikuar dyshohet se kanë djegur gjithashtu edhe makinën e bashkëshortes së tij.
Bashkëshortja e Vrionit është punonjëse në zyrën e urbanistikës në Bashkinë Elbasan.
Rikujtojmë se Arben Vrioni është ish-gjyqtar i Apelit në Durrës, i cili u shkarkuar nga Vettingu.
Por kush është gjyqtari që iu dogj mjeti?
Vrioni rezulton se në dhjetor të vitit 2016, ka qenë pjesë e trupit gjykes në Apelin e Durrësit, i cili liroi nga burgu ish-kreun e Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha.
Me vendimin e kësaj trupe gjykuese, Berisha iu rikthye lirisë pesë vite para afatit.
Ky vendim shkaktoi debat të gjerë, aq sa ambasadori amerikan i asaj kohe, Donald Lu nuk i kursye deklaratat e forta për gjyqtarët që dhanë vendimin.
Por Arben Vrioni nuk i shpëtoi dot procesit të vetingut për shkak të pasurisë.
Ai nuk arriti që të justifikonte një shumë prej 85 mijë dollarësh. Por në tentativë për të mbrojtur pozicionin e tij, ai paraqiti para trupës së vetingut një sërë kërkesash ku kërkonte përjashtimin e trupës gjykuese, duke e akuzuar si të njëanshme.
Tentativat e tij nuk u ndalën me kaq, madje ai pretendoi se kishte pësuar infarkt dhe se duhej të qetësohej në këtë periudhë.