Çift romantik në rrjet, zbulohet pse Romero bëri sherr me partneren dhe përfundoi në polici (FOTO LAJM)

Telashet nuk kanë të sosur për mesfushorin venezuelian të Partizanit, Aristoteles Romero, i cili të shtunën ka përfunduar i shoqëruar nga uniformat blu në Komisariatin Nr.2 të kryeqytetit.

Shkak për këtë shoqërim në polici ka qenë debati me tone të larta që futbollisti ka patur me të fejuarën e tij, shkruan Panorama Sport.

Duket si ironi fati, pasi çifti kishte lënë të kuptohej se ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin, pasi në postime të ndryshme në rrjetet sociale Romero përgatitej në kushte shtëpie duke mbajtur të dashurën mbi shpinë. Duket se izolimi i gjatë nga karantina e ka futur çiftin në krizë gjersa ata janë detyruar për ta zgjidhur problemin e tyre në polici.

Mes çiftit ka patur një debat të ashpër në apartamentin e tyre që klubi paguan një shumë të majme për akomodimin. Në kushtet e frikës, e fejuara e lojtarit, Raulimar Diaz, ka kërkuar ndihmën e uniformave blu të kryeqytetit, të cilat menjëherë kanë mbërritur në vendngjarje. 24-vjeçari është shoqëruar më pas në ambientet e Komisariatit Nr 2, ku është marrë në pyetje në lidhje me problemin.

Palët kanë sqaruar situatën, por Romero ka qenë me fat në këtë rast, pasi e fejuara e tij e ka shmangur denoncimin për dhunë apo kërcënim, gjë e cila mund të rëndonte pozitën e futbollistit të Partizanit, që në 2020-ën mbahet mend jo në fushë, por për polemikat që ka patur me klubin për situata të ndryshme, ku edhe është penalizuar në aspektin sportiv dhe financiar.


Shtuar 11.05.2020 07:38